Ndërlidhjet

logo-print

Javën e ardhshme do të duhet të procedohen në Kuvendin e Kosovës ndryshimet kushtetuese, me miratimin e të cilave do të mundësohet ngritja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë.

Një njoftim të këtillë, e ka thënë sot kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, pas takimit që ka zhvilluar me grupin parlamentar të kësaj partie.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti për 5 vota të sigurojë më 26 qershor miratimin për ngritjen e gjykatës, duke qenë se 13 ligjvënës nga Partia Demokratike e zotit Thaçi, votuan kundër, abstenuan apo munguan fare nga seanca.

Zoti Thaçi tha se në takim, ai u ka rekomanduar ligjëvënësve nga PDK-ja që ta votojnë ngritjen e Gjykatës.

“Është diskutuar edhe sa i përket procedimit të mëtutjeshëm të amendamenteve për Gjykatën Speciale dhe unë dëshiroj dhe besoj, dhe ishte këshillë dhe rekomandim që gjatë javës së ardhshme kjo çështje të procedohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi në javën e ardhshme të votojë pro themelimit të Gjykatës Speciale”, ka deklaruar Thaçi.

Ai tha se votimi në favor të themelimit është në interesin e politikës së Kosovës, shoqërisë dhe perspektivës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Natyrisht [kjo çështje]) është në interesin edhe të së kaluarës, edhe të së ardhmes së shtetit të Kosovës. Është në interesin e vazhdimësisë së partneritetit me Bashkimin Evropian, NATO-n, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Thaçi.

Por, disa nga ligjvënësit që kanë votuar kundër në seancën e 26 qershorit, vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim.

Nait Hasani është njëri prej tyre.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai tha se nuk e ka ndërmend ta ndërrojë qëndrimin e tij.

“Kryetari ka kërkuar që deputetët ta votojnë Gjykatën Speciale, unë i kam kërkuar kryetarit që nuk duhet ta votojmë. E drejta është universale, krimi është universal... e kanë bërë shqiptarët, e kanë bërë serbët, romët apo kushdo tjetër”.

“Gjithë ai krim duhet të jetë i dënueshme e jo selektiv. Këtu po kërkohet nga miqtë tanë ndërkombëtarë që të formohet një gjykatë selektive e cila do të merret ekskluzivisht me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha zoti Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Ganimete Musliu deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kundërshton ngritjen e gjykatës, tha se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar.

“Unë e kam thënë publikisht që në momentin që do të ndërroj mendim do ta jap publikisht qëndrimin. Unë asgjë nuk kam ndryshuar deri më tani dhe nuk kam çka të shtoj më tepër për gjykatën seç kam thënë deri me sot”, tha ajo.

Ngritja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, mundësohet përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat janë të nevojshme votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit prej 120 vendesh, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e minoriteteve.

Opozita tashmë është pozicionuar kundër themelimit të kësaj gjykate, duke thënë se nuk është gjithëpërfshirëse.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG