Ndërlidhjet

Minatorët e “Trepçës” paralajmërojnë vazhdimin e grevës së pezulluar


Minatorët e Trepçës, foto nga arkivi
Minatorët e Trepçës, foto nga arkivi

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça”, kanë paralajmëruar vazhdimin e grevës së pezulluar në fund të muajit janar të këtij viti.

Qazim Jashari, drejtor i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg të Mitrovicës, për Radion Evropa e Lirë ka treguar se i kanë dërguar një kërkesë kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, që deri më 1 gusht të ndërmerret ndonjë veprim lidhur me zgjidhjen e statusit të Trepçës.

Në të kundërtën, Jashari thotë se greva e minatorëve do të vazhdojë.

“Dihet mirë se ka qenë një grevë në janar; greva vetëm është pezulluar dhe mund të ndodh që minatorët të hyjnë në grevë, sepse po kërkojnë zgjidhjen e statusit të Trepçës, të miratohet Ligji për Trepçën, të zhbllokohet dhe të zhvillohet Trepça, sepse neve na ka ngufatur Agjencia Kosovare e Privatizimit”, ka thënë Jashari.

Jashari, thotë se me zgjidhjen e statusit të Trepçës, do të mundësohet edhe rritja e prodhimit, rrjedhimisht edhe rritja e pagave te minatorëve, të cilët po kërkojnë që rritja të jetë 10 për qind.

Paga mesatare e minatorëve, sipas Jasharit është rreth 520 euro në muaj.

Ndryshe greva e mbajtur për tre ditë radhazi në muajin janar ku minatorët kanë qëndruar në horizontin e tetë, ishte pezulluar me vendimin që brenda pesë muajsh Qeveria e Kosovës të miratojë Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në mënyrë që Trepça të shndërrohet në pronë të Qeverisë së Kosovës.

Kompleksi metalurgjik "Trepça" që gjendet në Mitrovicë është ndërmarrje shoqërore, që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse kërkesa e punëtorëve që kjo ndërmarrje të shndërrohet në ndërmarrje publike, mundëson kalimin e saj nga AKP-ja te Qeveria e Republikës se Kosovës.

Por, zëdhënësi në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, ka treguar se autoritetet kompetente gjatë kësaj periudhe kanë marrë disa veprime. Sipas tij, nevojiten edhe disa muaj konsultime për përpilimin e strategjisë, e pastaj Ligji për Trepçën.

“Kemi filluar konsultimet me dy-tre kompani të huaja që janë lidere botërore në fushën e industrisë minerale, kemi marrë praktikat më të mira në botë, qysh zgjidhet menaxhmenti, trajtimi i minierave, e më pas të përpilohet Ligji".

"Këto janë veprimet për të cilat na duhen edhe disa muaj konsultime, mandej të përgatitet strategjia dhe ligji”, tha Abrashi për Radion Evropa e Lirë.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se prioritetet politike po zënë vendin e parë, kështu që edhe gjatë funksionimit të qeverisë së re, nuk ka pasur ndonjë diskutim për kombinatin metalurgjik “Trepça”.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se potencialet minerale duhet të aktivizohen dhe të vihen në zhvillimin ekonomik.

Por, sipas tij, mënyra më e duhur për funksionimin e kombinatit është privatizimi apo koncesionimi i kompleksit.

“Ne do të donim të shihnim një përfshirje më të madhe të kapitalit privat në këtë ndërmarrje, pasi besojmë se kjo është e ardhmja e Trepçës.Çdo diskutim i Trepçës duhet të jetë në këtë frymë. Pa përfshirjen e kapitalit privat në këtë ndërmarrje pasi kjo është mënyra e vetme për zhvillimin e Trepçës“, thekson Zeka.

Gjiganti metalurgjik “Trepça", ka qenë nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

Kjo Dhomë kishte marrë vendim që “Trepçën” ta çojë në likuidim nga data 2 shkurt 2015, arsye kjo për veprime të shpejta të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG