Ndërlidhjet

Konfiskim dokumentacioni në filialet e Jugobankës


Policia e Kosovës, ilustrim

Policia e Kosovës, ilustrim

Policia e Kosovës, ditën e mërkurë, ka bërë kontroll në dy institucione financiare, në Mitrovicën e veriut dhe në Graçanicë, me dyshimin se ato institucione financiare kanë bërë shmangie tatimi. Të dyja i takojnë bankës nga Serbia, "Jugobanka".

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se gjatë kontrollit në këto institucione financiare, është marrë dokumentacioni për verifikim.

“Policia e Kosovës, së bashku me Bankën Qendrore dhe ATK [AdministratënTatimore të Kosovës], kanë realizuar një urdhëresë për kontroll që është lëshuar nga gjykata kompetente. Kontrolli ka pasur të bëjë me dyshimet për shmangie nga tatimi nga ai institucion financiar. Operacioni është realizuar në dy rajone, në Graçanicë dhe në rajonin e Mitrovicës së veriut”, ka thënë Kelani.

Kelani ka sqaruar se gjatë kontrollit ne këto dy institucione financiare ka pasur persona të intervistuar, por jo të arrestuar.

Megjithatë, aksioni i ditës së mërkurë i Policisë së Kosovës, ka pasur për qëllim parandalimin që këto institucione financiare, në Graçanicë dhe Mitrovicë të veriut, ti bashkëngjiten si filiale Jugobankës. Kjo e fundit është institucion financiar bankar i Serbisë, që nuk ka leje veprimi në Kosovë.

Vladeta Kostiq, kryetar i Graçanicës, ka konfirmuar se institucioni financiar, në të cilin Policia e Kosovës ka bërë kontroll, është degë e Jugobankës.

“Ai është filial i Jugobankës dhe unë vërtetë nuk e di se çfarë letrash posedon Jugobanka. Por, pasi që unë kam pyetur, më kanë thënë verbalisht se ai filial, gjegjësisht Jugobanka nuk posedon licencë dhe kontrolli ka ndodhur për këtë shkak”, tha Kostiq.

XS
SM
MD
LG