Ndërlidhjet

Rusia vuri veto për MH17, çfarë ndodh tani?


Ambasadori rus Vitaly Churkin, duke vënë veton KS të OKB-së

Ambasadori rus Vitaly Churkin, duke vënë veton KS të OKB-së

Vetoja që Rusia ia vendosi rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të krijuar një tribunal ndërkombëtar për fluturimin MH17 të Malaysia Airlines, ka bllokuar shansën më të mirë të komunitetit ndërkombëtar për të shtyrë shtetet të bashkëpunojnë për gjetjen e përgjegjësve për rrëzimin e tij.

Kjo për arsye se të gjithë anëtarët e OKB-së janë të detyruar nga Karta e OKB-së për të njohur autoritetin e gjykatave të krijuara nga Këshilli i Sigurimit.

Por, çdo gjykatë tjetër ndërkombëtare mund të injorohet, nëse një shtet vendos ta bëjë një gjë të tillë.

Eric de Brabandere, një profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Leidenit në Holandë, thotë se “nëse Këshilli i Sigurimit krijon një tribunal, të bazuar në Kapitullin 7 fuqive të tij, që është Kapitulli 7 i Kartës së OKB-së, ai realisht është obligativ për të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, që nënkupton se ato përfshihen në obligimin për të bashkëpunuar me gjykatën apo tribunalin”.

Pa këtë aspekt të detyrueshëm, shton ai, çfarëdo gjykate tjetër ndërkombëtare rrezikon të bëhet e paefektshme.

Kjo i lë shtetet që propozuan rezolutën që u vu në votim më 29 korrik, në një pozitë të vështirë.

Holanda, Malajzia, Australia dhe Belgjika -- që të gjitha humbën qytetarët e vetë në rrëzimin e MH17 – e shtynë rezolutën bashkë me Ukrainën, me shpresën për të krijuar një tribunal që do të kishte fuqinë të merrte informata, të cilat hetimi i udhëhequr nga holandezët nuk ishte në gjendje t’i siguronte.

Kjo përfshin informacione që mund të vijnë nga marrja në pyetje e zyrtarëve rusë, ose nga dosjet e Rusisë.

Por, pas vetos së vendosur nga Rusia, këtyre shteteve iu duhet të kerkojnë opsione tjera jashtë Këshillit të Sigurimit, edhe pse të gjitha e dinë paraprakisht se Moska mund të injorojë çfarëdo tribunali tjetër

Gjykatë e Panjohur

Një opsion është të krijohet një tribunal përmes një marrëveshjeje të përbashkët mes shteteve tjera.

Një gjë e tillë do të ndiqte shembullin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në Hagë, e cila u krijua nga një traktat i negociuar në mes të shteteve të OKB-së që e mbështetnin krijimin e një gjykate të pavarur për të gjykuar personat e akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Megjithatë, përvoja në Hagë gjithashtu, tregon se sa lehtë është për shtetet të mos e nënshkruajnë marrëveshjen dhe ta injorojnë atë.

Presidenti i Sudanit Omar al-Bashir është akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime për shkak të bombardimeve dhe sulmeve të tij ushtarake ndaj civilëve në Darfur.

Por, prapë se prapë, ai mbetet kreu i shtetit dhe është në gjendje të udhëtojë në secilin shtet tjetër që nuk kërkon arrestimin dhë dorëzimin e tij në Hagë.

Një tjetër opsion mund të jetë që një nga shtetet që ka humbur qytetarë gjatë rrëzimit të MH17 për të provuar të ndjekë penalisht rastin në sistemin e vetë të drejtësisë.

Por ky opsion, gjithashtu, mund të dëshmohet i pakënaqshëm sepse prokuroria mund të mos ketë bashkëpunim nga zyrtarët rusë, dhe nuk ka mundësi të përmbysë rezistencën.

De Brabandere thotë se një nga arsyet se pse shtetet qe i kanë humbur qytetarët në rrëzimin e fluturimit MH17 kanë luftuar për krijimin e një tribunali ndërkombëtar është që t’i jepet shtytje hetimit, i cili deri në këtë pikë ka qenë mjaft efektiv në gjetjen e fakteve se çfarë ka ndodhur, por ende nuk është zbardhur se kush e urdhëroi dhe kush e kreu sulmin.

"Tash për tash ata realisht nuk kanë bashkëpunim nga ana e Rusisë apo rebelët në Ukrainë” tha De Brabandere.

"Shtetet që e propozuan rezolutën në Këshill të Sigurimit kërkojnë sistem të ndërkombëtarizuar për të kryer hetimet dhe të provojnë të identifikojnë personat përgjegjës. Kjo është një nga sfidat kryesore, jo vetëm të dihet se çfarë ndodhi, por edhe kush ishte përgjegjës për atë që ndodhi", tha ai.

Informatat që dolën në shesh nga raporti i hetimeve të udhëhequra nga Holanda, thoshte se dëshmitë drejtojnë kah separatistët dhe me gjasë një ekip nga ushtria ruse.

Por, Rusia dhe rebelët e mohojnë një gjë të tillë dhe Moska ka akuzuar ushtrinë e Ukrainës së ka rrëzuar aeroplanin me fluturimin komercial.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG