Ndërlidhjet

logo-print

"Lufta" me nene në rastin e të akuzuarve për Kumanovën


Kumanova pas përleshjeve të 9 dhe 10 majit

Kumanova pas përleshjeve të 9 dhe 10 majit

Procesi dëgjimor në rastin e nëntë personave të akuzuar për rastin e Kumanovës në Maqedoni, i cili filloi të martën, është pezulluar, ka thënë avokati Naser Raufi, i cili përfaqëson të pandehurit në këtë rast.

Më 9 dhe 10 maj, autoritetet e rendit në Maqedoni ndërmorrën një aksion policor në Kumanovë. Përleshja e armatosur la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Sipas tij, pezullimi pason shkeljen e ligjit për Procedurë Penale...

“Po ende nuk kemi përgjigje nga Prokuroria, konkretisht për thyerjen e nenit 206, pika 5, e ligjit për Procedurë Penale, me atë që të akuzuarve nuk u prezantohen provat që posedon prokuroria, e që është parakusht për marrjen e deklaratave nga të akuzuarit".

"Sipas këtij neni, para se të merren deklarata nga të akuzuarit, Prokuroria e ka të patjetërsueshme të prezantojë të gjitha provat që i posedon.
Kemi reaguar te Këshilli i Prokurorëve, kryeshefi i Prokurorisë së krimit të organizuar, te Prokurori Publik, te të gjitha institucionet kompetente për këtë çështje; njëherësh e kemi njoftuar dhe misionin e OSBE-së në Shkup”,
thekson avokati Raufi.

Ai thekson se procesi dëgjimor do të bllokohet edhe për të akuzuarit të cilët mbahen në burgun e Prilepit dhe atë të Manastirit, proces ky i cili pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme.

“Sa jam i informuar unë, nuk është bërë as obduksioni i policëve të vrarë në aksionin policor dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk na prezantohen provat neve, po sido që të jetë, ne do të insistojmë në prezantimin e tyre”, thotë zoti Raufi.

Ndërkohë, Prokuroria në Maqedoni, përmes një reagimi me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, shkurtimisht ka theksuar se seancë dëgjimore është realizuar bazuar në një nen tjetër, atë 302, pika 2, e ligjit për Procedurë Penale, në bazë të të cilit “prokuroria mund t`i marë në pyetje të akuzuarit nëse këtë se ka bërë parapakisht".

Por, avokatët mbrojtës thonë se neni 302 vlen pasi te ketë përfunduar faza e hetuesisë, kurse tani procesi ende është në fazë të hetuesisë.

Avokati Raufi njëhërësh thotë se dëshmitë që posedojnë klientët e tij paraqesin prova të pakontestueshme se ngjarjet e 9 dhe 10 majit ishin, siç thotë ai, "të inskenuara"...

“Në këtë periudhë të procedimit të lëndës nuk dua të flas, përkatësisht nuk dua t'i komentoj dëshmitë, të cilat i kemi ne si palë mbrojtëse, përkatësisht që i disponojnë klientët e mi. Megjithëse në bazë të asaj që posedoj mendoj se shërbimet sekrete, edhe atë jo një por më shumë shërbime sekrete janë të involvuara në këtë rast . Pra ky skenar nuk është i inskenuar nga ana e të akuzuarve, por nga ana e shërbimeve sekrete, dhe të akuzuarit janë viktimë e këtyre shërbimeve sekrete”, thotë zoti Raufi.

Njohësit e çështjeve juridike dhe shumë organizatat joqeveritare kishin theksuar se vetëm një hetim ndërkombëtar mund të shmang dilemat rreth këtij rasti dhe do të mund të garantojë një proces gjyqësorë të drejtë dhe njëkohësisht të besueshëm.

Por, ministri i punëve të brendshme i Maqedonisë Mitko Çavkov gjatë këtij muaji tha se një kërkesë e tillë nuk është dorëzuar asnjëherë në adresë të autoriteteve të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG