Ndërlidhjet

Korrupsioni i kushton Kosovës mbi 100 milionë euro humbje çdo vit, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile dhe shoqatave ekonomike në vend.

Mbi 20 për qind e të gjitha vlerave të kontratave të tenderimit që bëhen brenda vitit, sipas hulumtimeve të bëra, keqpërdoren nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës.

Fidan Kalaja, nga Lëvizja “FOL”, e cila merret me matjen e luftës anti-korrupsion, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimeve që kanë bërë del se njëri nga sektorët më të korruptuar në Kosovë është fusha e prokurimit dhe procesi i privatizimit.

Niveli i keqpërdorimit në sektorin e prokurimit është 20 për qind, ripërsërit Kalaja.

“Nëse flasim me shifra, Kosova çdo vit përmes procedurave të prokurimit shpenzon nga 450 milionë deri në 600 milionë euro, që i bie diku rreth 40 për qind e buxhetit të Kosovës shkon përmes procedurave të prokurimit. Nëse kësaj ia shtojmë 20 për qindëshin që keqpërdoret, atëherë i bie se rreth 100 milionë euro në vit këto mjete rrezikohen të keqpërdoren nga zyrtarët publik përmes procedurave të prokurimit”, vlerëson Kalaja.

Analiza e dytë e Lëvizjes “Fol”, shton Kalaja ka të bëjë me vendimet e gjykatave.

Edhe këtu në disa nga vendimet që janë dhënë nga gjykatat kompetente në Kosovë, tregohet se Kosova humb miliona euro nga korrupsioni.

“E kemi rastin e skandalit të pasaportave, ku gjykata ka vërtetuar se buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 1.5 milionë euro, pra ky është vendim i gjykatës, Këto janë shifra që potencialisht e dëmtojnë Kosovën nga aferat korruptive”, tregon Kalaja.

Korrupsioni në Kosovë në raportet e ndryshme ndërkombëtare ishte theksuar se si një nga sfidat me të mëdha me të cilat duhet të merren autoritetet e vendit.

Në vitin 2014, Kosova kishte shënuar një përmirësim të lehtë, por jo të efektshëm në indeksin e korrupsionit të botuar nga Transparency International, duke u radhitur bashkërisht me Shqipërinë në vendin e 110-të, në atë që njihet si “zonë e kuqe”.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë, në anën tjetër theksojnë se evazioni fiskal i cili në Kosovë është mjaft i lartë, është i lidhur me korrupsionin që është në institucionet e shtetit të Kosovës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë vlerëson se ky informalitet në Kosovë është deri në 40 për qind dhe që kap vlerën e 1.5 miliardë euro.

“Ky infomalitet dhe kjo punë që shkon jashtë sistemit tatimor është e shoqëruar me korrupsion, është e shoqëruar me krim të organizuar dhe kjo po e dëmton ekonominë e shtetit, po e dëmton imazhin e shtetit dhe njëkohësisht po kërcënon ekonominë formale. Ky fenomen negativ për fat të keq nga viti në vit po rritet”, shton Shahini.

Sipas një analize të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), korrupsioni është theksuar të jetë një nga problemet kryesore në të bërit biznes në Kosovë.

Ndryshe, që nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit për rritjen e efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit, në nëntor të vitit 2013 deri në dhjetor të vitit 2014, prokuroritë kanë pasur në punë 1604 raste të dyshuara për korrupsion me 2709 persona.

Prej këtij numri të përgjithshëm, prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 566 raste me 1301 persona.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG