Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë për mashtrim në UP


(©Shutterstock)

(©Shutterstock)

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve për veprën penale “Mashtrim në detyrë”.

Siç njofton Prokuroria përmes një njoftimi për media, sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve, Enver Hasani ish-rektor i Univeristetit të Prishtinës, Hakif Veliu ish-shef i zyrës së prokurimit në UP dhe AlberAlbert Ragipi drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.

Sipas aktakuzës të pandehurit “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”. Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit 12.65€ për 1000 fjalë kanë shënuar çmimin 12.65€ për 1000 karaktere. Në këtë mënyrë të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70.426,90€”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kontrata e falsifikuar është e dhjetorit të vitit 2008 dhe i pandehuri Hasani ia kishte dërguar në Tiranë të pandehurit tjetër Ragipi, i cili e kishte nënshkruar dhe vulosur në emër të institutit.

“Duke e shfrytëzuar kontratën e falsifikuar i pandehuri Albert Ragipi, më datën 13.07.2009, e ka dërguar në Universitetin e Prishtinës, faturën për përkthimin e librave të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere” në shumë të përgjithshme prej 87,541,80 euro, të cilën pagesë e ka lejuar i pandehuri Hakif Veliu”.

“Gjithashtu, më datën 02.12.2009, i pandehuri Albert Rakipi ka dorëzuar në Universitetin e Prishtinës edhe një faturë për përkthimin e njëmbëdhjetë librave, të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, në shumë prej 299.488,75€, e cila faturë nuk është paguar, dhe për të cilën ISN-ja pretendon se UP-ja i ka borxh”, thuhet tutje në njoftim.

Si pasojë e kësaj, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrim në detyrë”.

Aktakuza është ngritur nga prokurorë vendës të Prokurorisë Speciale. Ata kërkojnë që Instituti nga Tirana t’ia kompensojë UP-së dëmin në vlerë prej 70.426 euro.

XS
SM
MD
LG