Ndërlidhjet

Maqedoni: Subvencionet nuk ndikojnë në zhvillimin e blegtorisë


Ilustrim

Ilustrim

Derisa autoritetet qeveritare thonë se gjithnjë e më shumë rriten subvencionet për të gjithë blegtorët, këta të fundit ankohen për mungesë të plasmanit të qumështit dhe mishit, si dhe nga çmimet të larta të ushqimit për bagëtinë.

Të dhënat e Entit Shtetërorë të Statistikave bëjnë të ditur se numri i krerëve të bagëtive në Maqedoni zvogëlohet nga viti në vit. Në Maqedoni gjatë vitit 2004 kishte më shumë se 1 milion e 400 mijë dele, përderisa gjatë vitit të kaluar ky numër është zvogëluar në vetëm 7 qind e dyzet mijë dele.

Kurse, numri gjedheve ka shënuar një rënie më të lehtë prej 255 mijë sa ka pasur gjatë vitit 2004, tashmë në Maqedoni ka 242 mijë krerë gjedhesh.

Zoran Angellkovski nga një fshat i rrethit të Shkupit rrëfen se para disa vjetësh ka pasur 12 krerë lopë, por tani kujdeset vetëm për 4, sepse e ka vështirë të gjejë blerës për qumështin, të cilin e shet vetëm për 16 denarë një litër, ndërkohë që për të pasur sadopak përfitim, çmimi duhet të jetë të paktën 20 denarë.

“Unë jam blegtor dhe jo lypës, që tërë kohën të kërkoj ndihmë nga dikush. Le t’më sigurohet çmim real për shitjen e qumështit, të cilin e prodhoj. Gjithashtu kërkojmë që të kemi plasman të garantuar për prodhimet e tona, kjo do të mjaftojë, nuk duam mëshirë”, shprehet Zoran Angellkovski.

Sipas tij, ndihmat që i ofron qeveria për blegtorët, përmes subvencioneve, janë shumë të vogla dhe paraqesin para lypsarësh.

Ndërkaq, Lulzim Fejzullahu, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Kullotave në Maqedoni, shprehet i bindur se përmes një strategjie të mirë gjithëpërfshirëse, agro-ekonomike, agro-industriale duke inkorporuar dhe programet që i ofron qeveria, po ashtu duke shfrytëzuar edhe fondet e BE-së, të nxitet zhvillimi i kësaj dege.

“Kapaciteti i kullotave, me të cilat disponon Maqedonia në pjesën më të madhe mbetet i pashfrytëzuar, për shkak se ka rënë numri bagëtive. Ka një rritje të numrit të bagëtive te blegtorët e rinj, të cilët kanë filluar të merren me këtë veprimtari, përkatësisht aplikojnë metodologjitë e reja më bashkëkohore për kultivimin e blegtorisë, duke zgjeruar veprimtarinë edhe me zhvillimin e agro-turizimit, ushqimit të shëndetshëm ....sepse kemi shumë kapacitete të pashfrytëzuara për zmadhimin e numrit të dhenve, po edhe të gjedheve”, thekson Fejzullahu.

Ai shton se një nga angazhimet kryesore në çka është e fokusuar kjo ndërmarrje, është përmirësimi i infrastrukturës, përkatësisht krijimi i kushteve për fermerët e rinj për t’u marrë me këtë veprimtari.

“Aktualisht, jemi të angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës në viset e larta të kullotave. Tanimë kemi përfunduar me rikonstruktimin e disa rrugëve, siç është rajoni i Kuçibabës në Komunën e Vrapçishtit, me kullota shumë cilësore, njëkohësisht është sanuar dhe rruga kah Mali i Zherovnicës dhe për momentin punohet në rrugën e Malit të Stogovës ku kullosin rreth 20 mijë krerë dele”, bën të ditur Fejzullahu.

Por, Boris Anakiev, nga Fakulteti i Bujqësisë në Shkup, thotë se sektori i blegtorisë paraqet një veprimtari komplekse ku përpos kujdesit për bagëtinë kërkohen më shumë njohuri për procesin e përpunimit të prodhimeve të qumështit dhe mishit dhe më shumë mjete financiare për të ngritur biznesin në një nivel fitimprurës.

“Mbështetja e zhvillimit të blegtorisë, si degë e veçantë e bujqësisë, nuk bëhet në formë sistematike, ashtu siç duhet të bëhet, të ndihmohen blegtorët në vazhdimësi. Qeveria e Maqedonisë akoma nuk e ka kuptuar këtë, andaj dhe ndihmesa përmes subvencioneve nuk arrin të japë rezultatet e duhura”, vlerëson Anakiev, ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë në Shkup.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë këtë vit do të subvencionojë sektorin e bujqësisë me 140 milionë euro. Nga këto mjete, 31,1 milionë euro do të destinohen për subvencionimin e blegtorisë.

XS
SM
MD
LG