Ndërlidhjet

Maqedoni: Dita e Ilindenit, sërish anashkalohen shqiptarët


Monumenti i Ilindenit

Monumenti i Ilindenit

Republika e Maqedonisë të dielën, më 2 gusht, shënoi 112-vjetorin e Kryengritjes së Ilindenit dhe 71-vjetorin e Mbledhjes së parë të Kuvendit antifashist të çlirimit popullor të Maqedonisë, ku u konfirmua pozita shoqëroro-­juridike e Maqedonisë si shtet i barabartë federal në korniza të Federatës së ish-Jugosllavisë.

Në shënimin e dy festave tërëndësishme për pavarësinë e Maqedonisë, ku rol të veçantë kanë luajtur dhe qytetarët shqiptarët, nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues shqiptar, qoftë nga politika apo nga jeta shoqërore.

Në fjalimet e tyre në Krushevë, Shkup dhe Prohorpcinki të Kumanovës, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski dhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, kryesisht u fokusuan në luftën e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit maqedonas, duke e hedhur fajin për bllokimin e proceseve integruese vetëm te pala greke.

Kryeministri Gruevski në fjalimin e tij festiv u fokusua në zhvillimin ekonomik, rëndësinë e përforcimit të kapaciteteve shtetërore për luftën ndaj terrorizmit, madje dhe valën e emigrantëve nga lindja e afërt, por pa ipërmendur qoftë dhe me një fjalë të vetme të drejtat e shqiptarëve.

“Bllokimi nga ana e Greqisë tashmë shtatë vjet të plota, na kushton me mosanëtarësimin në NATO dhe lirisht mund të them dhe bllokimin e vendit për t`u anëtarësuar edhe në BE, sepse sikur të mos ishte bllokimi që i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE gjatë vit 2009,Maqedonia si shtet tani do të ishte pjesë e familjes evropiane. Dëshirojmë që fqinji ynë sa më parë t’i tejkalojë sfidat ekonomike dhe të fokusohet në problemin tonë bilateral dhe bllokimin që bën ndaj nesh”, deklaroi Gruevski, para përmendores së Metodija Andonov Cento në Shkup.

Gruevski tha se terrorizmi po troket në prag të derës në Maqedoni duke folur për aksionin policor në Kumanovë.

“Patjetër t’i forcojmë kapacitetet tona në ballafaqimin me to dhe t’i menaxhojmë. Ngjarjet e paradokohshme në Kumanovë dhe hedhjet e kohëpaskohshme të bombave, ose granatave, janë vetëm një alarm se ky lloj kërcënimi nuk është diku larg nesh, në Francë, Belgjikë, Norvegji, Amerikë, në Irak ose Siri. Ata mund të vijnë edhe në rrugët tona, para hyrjes ose shtëpisë sonë dhe ta rrezikojnë jetën tonë dhe të afërmit tanë”, theksoi Gruevski.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare konsiderojnë se për aq kohë sa Maqedonia nuk arrin të bëjë hapa drejt integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, autoritetet shtetërore shërbehen me retorikë nacionaliste, ndjellje të frikës dhe adresimin e fajit te të gjithë, pos vetes, duke dëmtuar, siç thonë ata, interesat shtetërore.

Sforcimi i nacionalizmit, si dhe ai patriotizmi luftarak duke i thënë JO çfarëdo lloj zgjidhjeje që ka të bëjë me kontestin me Greqinë, e që nënkuptojnë ndryshimin e emrit, tani e tutje do të jetë gjithnjë e më i pranishëm në fjalimet e kryeministrit Gruevski,si dhe të të gjithë zyrtarëve të lartë të partisë së tij".

"Kjo sepse fitorja e tij, gjithmonë është garantuar përmes kartës nacionaliste, përkushtimit të tij për ruajtjen e emrit kushtetues të shtetit dhe identitetit, edhe pse më duhet të theksoj se këto dy çështje jo rrallë herë i ngatërrojnë. Sido që të jetë gjatë kësaj periudhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve pres që të sforcohet edhe më shumë nacionalizmi në radhët e VMRO DPMNE-së”, konsideron Nano Ruxhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO.

Ndërsa për Ismet Ramadanin, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni, ajo që rrënon raportet ndëretnike dhe funksionimin e shtetit mbi parime demokratike është anashkalimi i shqiptarëve në shënimin e një feste kaq të rëndësishme për Maqedoninë si shtet. Kjo bëhet edhe më e theksuar kur faktet historike dëshmojnë se shumë figura të ndritura shqiptare kanë kontribuar në pavarësinë e Maqedonisë dhe më pas ngritjen e institucioneve shtetërore.

Kjo që po ndodh gjatë shënimit të festës së Ilindenit, në fakt pasqyron gjendjen reale kur bëhet fjalë për shqiptarët, pra injorim i tërësishëm nga ana e institucioneve të shtetit. Mund të konstatojmë se sot këto dy festa shqiptarët pothuajse nuk i ndjejnë aspak si festat e tyre, për faktin se statusi juridik i tyre, nuk është i barabartë me atë të maqedonasve dhe një injorim dhe poshtërim që po e bën qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski vetëm se po e verifikon këtë”, thekson Ramadani.

XS
SM
MD
LG