Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar ndryshimet kushtetuese, me të cilat hapet rruga ligjore për ngritjen e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Kjo është hera e dytë që Kuvendi nxjerr për miratim këto ndryshime. Në seancën e 26 qershorit Kuvendi i Kosovës nuk arriti për 5 vota të sigurojë miratimin.

Opozita tashmë është pozicionuar kundër themelimit të kësaj gjykate, duke thënë se nuk është gjithëpërfshirëse dhe ka karakter selektiv, në kuptimin etnik.

Partitë politike në opozitë, në seancën e sotme, debatuan edhe për bazën ligjore që ka ose jo Kuvendi, për të riproceduar edhe një herë të njejtat ndryshime kushtetuese, të cilat nuk u votuan më 26 qershor.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kërkuan që për riprocedim të kësaj çështjeje është dashur të respektohen procedurat ligjore.

Tri subjektet politike në opozitë kishin edhe një mocion procedural, me të cilin kërkonin vendosjen në rend të ditës një Rezolutë për krimet serbe në Kosovë, mocion ky i cili nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme.

Ndryshe, ngritja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, mundësohet përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat janë të nevojshme votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit prej 120 vendesh, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e minoriteteve.

Gjykata Speciale për Krime Lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.

Këto dhoma do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë. [a.k.]

Trego komentet

XS
SM
MD
LG