Ndërlidhjet

logo-print

A e shpëtoi Rusinë nga Napoleoni një lëndim i trurit?


Portreti i gjeneralit rus, Mikhail Kutuzov

Portreti i gjeneralit rus, Mikhail Kutuzov

Kërkimet e reja indikojnë se momenti madhor në historinë e Evropës mund të jetë varur nga një kirurg francez dhe trajtimi origjinal i një pacienti rus.

Shumë rusë konsiderojnë se ish-komandanti ushtarak në periudhën e Perandorisë Ruse, Mikhail Kutuzov, ishte hero kombëtar dhe shpëtimtar i vendit, për zmbrapsjen brilante të invadimit të Napoleonit në vitin 1812.

Por, e gjithë kjo ka mundur të përfundoj krejtësisht ndryshe, nëse nuk do të kishte ekzistuar një mjek francez.

Kështu, së paku kanë konkluduar kërkuesit në Institutin Neurologjik Barrow në Feniks të Arizonës në Shtetet e Bashkuara.

Pas më tepër se dy vitesh të kërkimeve, shkencëtarët amerikanë i kanë dhënë merita kirurgut francez, Jean Massot, për ndryshimin e kursit të historisë.

Kërkuesit amerikanë kanë gjetur se mjeku Massot, disa vite para invadimit të Napoleonit, kishte përdorë teknika ekperimentale, që e kishin sfiduar neurokirurgjinë moderne, për t’i ndihmuar Kutuzovit që të mbijetojë, nga plagët e shkaktuara me dy plumba, që kanë mundur të jenë vdekjeprurës.

Në studimin e tyre të publikuar në Revistën e Neurokirurgjisë (Journal of Neurosurgery) në Shtetet e Bashkuara, shkencëtarët, po ashtu, thanë se plagët paraqesin gjurmë për strategjinë që Kutuzov e ka përdorë për ta mundur Napoleonin, që ishte perandor francez.

Sipas shefit të ekipit të kërkuesve, Dr. Mark C. Preul, “është një tregim se si mjekësia e ka ndryshuar kursin e civilizimit”.

Komandanti rus, Mikhail Kutuzov, i mbijetoi plagët në kokë nga plumbat, derisa kishte luftuar kundër turqve në vitet 1774 dhe 1788, para se të merrte pjesë në zmbrapsjen e ushtrisë së Napoleonit, që dukej se ishte e pamposhtur.

“Ne dëshiruam të gjejmë se çka ka ndodhur realisht dhe në mënyrë themelore ta identifikojmë këtë kirurg, që e kishte shpëtuar Mikhail Kutuzovin”, tha shkencëtari Preul, dhe ka shpjeguar se “faktet e Massotit ishin disi të varrosura; ai është pararojë e teknikës kirurgjike; ai përdorte teknika moderne të jashtëzakonshme, që ne i përdorim edhe sot”.

Studimi ka gjetur dëshmi se plaga nga plumbi i parë, që ka ndodhur në Krime, e kishte shkatërruar pjesën ballore. Plumbi i dytë, që e kishte goditur gjatë një beteje tjetër, kishte kaluar nëpër fytyrën e tij dhe bazën kafkore.

Pas trajtimit të plagëve, kirurgu Massot ka shkruar se “duhet të besohet se fati i ka caktuar Kutuzovit diçka të madhe, pasi ai ishte ende i gjallë pas dy plagëve, që sipas të gjitha rregullave të shkencës mjekësore ishin dënim me vdekje”.

Shkencëtarët amerikanë thonë se lëndimi i parë mund ta shpjegojë sjelljen e çuditshme të Kutuzovit pas plagës, dhe me gjasë të mëdha e ka dëmtuar aftësinë e gjeneralit rus për të marrë vendime.

Duket paradoksale, por kjo ishte ajo që e kishte shpëtuar atë periudhë, pasi Kutuzovi hezitues e kishte shtyrë konfrontimin me forcat e Napoleonit, në vjeshtë të vitit 1812, duke u tërhequr në mënyrë të sigurt me armatën e vet në pjesën lindore të Moskës, pas betejës në Borodino, 125 kilometra në perëndim të qytetit.

Ushtria perandorake franceze e mori Moskën dhe u tërhoq pas ndezjes së qytetit. Mungesa e furnizimeve dhe e ushqimit, ndikoi që Grande Armee (Ushtria e Madhe) nuk ka mundur t’i rezistojë dimrit të hershëm brutal në Rusi dhe kundërsulmeve nga forcat ruse.

Napoleoni e braktisi ushtrinë në dhjetor dhe u kthye në Paris me disfatë.

“Gjeneralët e tjerë mendonin se Kutuzovi ishte i krisur dhe ndoshta ai ishte i tillë”, thotë shkencëtari Preul, dhe ka shtuar se “operacioni i trurit e shpëtoi jetën e Kutuzovit, por truri dhe syri i tij ishin shumë të lënduar”.

Mëtutje ai thekson se “duket ironike, por vendimi për shërim në këtë situatë i mundësoi atij që ta bëjë atë që doli se ishte zgjidhja më e mirë”.

Shkencëtari amerikan, Dr. Mark C. Preul, konkludoi se “nëse ai nuk do të ishte plagosur, ai ndoshta do ta sfidonte Napoleonin dhe do të pësonte disfatë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG