Ndërlidhjet

Ekspertë të çështjeve ekonomike, duke iu referuar të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregtinë e jashtme, ku flitet për një deficit të lartë tregtarë, theksojnë se Kosova po vazhdon të kalojë në një situatë jo të mirë ekonomike.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin qershor 2015 për 207,5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 188,6 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Eksporti i mallrave në muajin qershor 2015 kishte vlerën 30,4 milionë euro, ndërsa importi 238 milionë euro.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se përmes importit të mallrave, paratë e Kosovës po dalin jashtë vendit.

Nisur nga kjo, ai thekson se Kosova duhet të marrë masa në përmirësimin e politikave ekonomike për bizneset prodhuese.

“Kur ka deficit të lartë tregtarë në shumicën e rasteve shtetet veprojnë me politikën monetare, politikën e taksave, doganave dhe politikën kreditore. Duhet të merren masa të tilla që të stimulohen të gjitha bizneset të cilat rrisin eksportin duke iu bërë lehtësira të ndryshme në politikën e taksave, të bëhen lehtësira në dogana, qoftë në tatime, qoftë në forma tjera të benefiteve për të gjitha ato biznese që punojnë për eksport”, thekson Ramosaj.

Ramosaj konsideron se mos zhvillimi i bizneseve prodhuese është fatkeqësi për Kosovën, që si shtet importon gati të gjitha produktet.

“Sidoqoftë sado që përpjekjet të jenë intensive në këtë drejtim nuk mund të ketë efekte në afat të shkurtër, por në afat gjatë Qeveria duhet të mendojë të përmirësojë këtë gjendje pasi që vështirë se Kosova do të mund ta përballojë këtë deficit të lartë tregtarë. Ky deficit i lartë tregtar tregon se të gjitha paratë e Kosovës po dalin jashtë”, shton Ramosaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e bizneseve vazhdimisht kanë potencuar se pa krijimin e kapaciteteve prodhuese nuk mund të arrihet zëvendësimi i produkteve të importuara me ato vendore.

Burim Piraj, nga industria e mishit “Meka”, në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se autoritetet e Kosovës duhet të tregohen më të vëmendshme karshi kësaj çështjeje.

“Çelësi është në dorë të Qeverisë së Kosovës. Ajo mund të bëjë atë që ne po e kërkojmë vazhdimisht, ndryshimin e politikave fiskale. Me ndryshimin e qasjes ndaj bizneseve do të shtohet konsumi i produkteve vendore dhe normal me shtimin e konsumimit të produkteve vendore rritet punësimi dhe përmirësohet gjendja ekonomike”, shton ai.

Serbia, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë, pasuar nga Gjermania, pastaj Turqia, Kina, Italia, Shqipëria, Maqedonia.

Përqindjen më të madhe të mallrave të importuara e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet, duhani dhe produktet minerale.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG