Ndërlidhjet

Qindra civilë të vrarë në sulmet ajrore


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Nga sulmet ajrore të koalicionit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kundër caqeve të militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Irak dhe Siri, janë vrarë së paku 459 civilë, gjatë vitit të kaluar, tha më 3 gusht një grup i pavarur monitorues.

Në raportin nga grupi Airwars, që është një projekt për gjurmimin e sulmeve ajrore ndërkombëtare kundër militantëve, thuhet se konsiderohet se nga 57 sulme janë vrarë civilët, dhe ato kanë shkaktuar 48 raste të dyshuara se ka pasur “zjarr joarmiqësor” vdekjeprurës.

Raporti thotë se nga sulmet ajrore janë vrarë më tepër se 15 mijë pjesëtarë të grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Derisa grupi Airwars, ka theksuar vështirësi në verifikimin e informacioneve në territorin që është nën kontrollin e militantëve të Shtetit Islamik, që i kanë rrëmbyer dhe vrarë gazetarët dhe aktivistët, grupet e tjera kanë raportuar numër të ngjashëm të viktimave nga sulmet e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, tha se Shtetet e Bashkuara po i shqyrtojnë të gjeturat e raportit.

“Kur ne i marrim raportet e këtilla të besueshme, ne qartas i ndajmë ato me Departamentin e Mbrojtjes dhe me selinë e koalicionit, CENTCOM, dhe ne i analizojmë informacionet në mënyrë rigoroze”, tha Mark Toner, dhe ka shtuar se Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se është “absolutisht me rëndësi që të mbrohen jetët e civilëve në terren”.

“Pothuajse të gjitha pretendimet e dyshimeve për vdekje të joluftëtarëve nga sulmet e koalicionit, paraqiten brenda 24 orëve, me pamje të qarta të viktimave të raportuara, që në të shumtën e rasteve janë të shpërndara gjërësisht”, thuhet në raportin e grupit Airwars, dhe shpjegohet se “në këtë kontekst, politika aktuale e koalicionit për zvogëlimin ose përgënjeshtrimin e të gjitha pretendimeve të vrasjeve të joluftëtarëve, nuk është e mirë dhe rrezikon që militantëve të Shtetit Islamik dhe forcave të tjera, tu jepet një mjet i fuqishëm propagandues”.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore kundër caqeve të militantëve të Shtetit Islamik prej gushtit të kaluar në Irak dhe prej shtatorit të vitit 2014 në Siri.

Vendet anëtare i janë bashkuar koalicionit për të ndihmuar forcat aleate në terren, që t’i luftojnë ekstremistët.

Deri tash, koalicioni i ka ndërmarrë më se 5,800 sulme ajrore në Irak dhe Siri.

Dy civilët, për të cilët Shtetet e Bashkuara kanë pranuar se i kanë vrarë në sulme ajrore, ishin fëmijë që ishin qëlluar, me gjasë, kur janë bombarduar caqet e al-Kaidës në Siri, vitin e kaluar.

Nga ky sulm, po ashtu, janë plagosur dy të rritur, sipas hetimeve ushtarake amerikane të kryera në muajin maj.

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tri hetime, me ç’rast është konkluduar se akuzat për vrasjet e civilëve janë të pabaza.

Priten edhe hetime të tjera.

Zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Wayne Marotto, nuk i është referuar direkt raportit të fundit, por ka thënë se “nuk ekziston tjetër ushtri në botë që punon aq fuqishëm sikur ne, për të qenë preciz”.

“Kur një akuzë për viktima civile të shkaktuara nga forcat e koalicionit, përcaktohet se është e besueshme, ne në mënyrë të plotë zhvillojmë hetime dhe përpiqemi të mësojmë nga ajo, në mënyrë që ta evitojmë përsëritjen”, tha koloneli amerikan, Wayne Marotto.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG