Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë në maj të vitit 2013.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë patën deklaruar se miratimi i këtij ligji, do të reformojë sistemin shëndetësor të vendit.

Kosova nuk ka pasur asnjëherë Oda të Profesionistëve. Kjo është paraparë si pjesë legjislative përmbajtjesore brenda sistemit shëndetësor dhe kompetenca tqë do t'i ushtrojnë këto oda do ta lehtësonin punën e Ministrisë së Shëndetësisë si institucion.

Zylfije Hundozi, kryetare e Odës së Mjekëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Oda e Mjekëve është institucion i pavarur prej politikës dhe ka për detyrë që të funksionalizojë punën e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Oda e ka për detyrë, gjithashtu, t’i mbrojë interesat e mjekëve për të gjitha pengesat që kanë gjatë punës së tyre, që ta rrisë cilësinë e punës së profesionistëve shëndetësor.

Ndryshe në Kosovë tashmëjanë themeluar pesë oda, ajo e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, e Infermierëve si dhe Oda e Fizioterapeutëve.

Por, zonja Hundozi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se këto oda nuk po funksionojnë dhe janë të bllokuara tërësisht.

“Odat nuk po funksionojnë pasi që Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndarë buxhet. Të hollat i kanë transferuar në mallra dhe shërbime. Kërkesat tona kanë qenë të vazhdueshme, por ministria nuk po na jep as kompetenca as buxhet. Shkurt, i kanë themeluar odat edhe ligji është miratuar, por nuk janë duke e zbatuar”.

“Para dy javësh prapë jemi takuar me Ministrinë Shëndetësisë, para se të ndahet buxheti, por pa sukses. Shumë mjekë dy vjet kanë punuar vullnetarisht, por tash duhet të paguhen e të holla s’ka”, tha Hundozi.

Edhe Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë ka bërë të ditur, se ndonëse si sindikatë kanë pasur disa kërkesa nga Ministria e Shëndetësisë për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, ai shton se këto oda nuk po funksionojnë tërësisht.

“Ka qenë e paraparë nga momenti kur është aprovuar ky ligj, të barten kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë në odat e profesionistëve. Por, për fat të keq nuk po funksionon. Derisa ata nuk kanë buxhet të ndarë dhe nuk kanë infrastrukturë për punë, mendoj se edhe një kohë të gjatë nuk do të mund të punojnë”.

Por, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se 230 mijë euro janë ndarë për këtë vit, për funksionimin e pesë Odave të Profesionistëve Shëndetësor.

Lulzim Uka, nga zyra e informimit në këtë ministri, thekson se rezultati i odave pritet të shihet.

“Jemi duke bërë bashkëpunim me odat, dhe bartjen e kompetencave nga ministria në oda. Ne jemi të kënaqur me detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë marrë ata. Sa është funksionale pritet të shihet. Përgjegjësitë që do t’i marrin janë licencimi i profesionistëve shëndetësorë, rilicensimi, lëshuarja e certifikatave, vërtetimi. Në secilën odë janë të formuara këshillet etike dhe komisionet mbikëqyrëse që kontrollojnë dhe mbikëqyrin punën e tyre”.

Sidoqoftë, në anën tjetër, zonja Hundozi ka shtuar gjithashtu se përpos Odës së Mjekëve që ajo udhëheq, edhe katër odat tjera nuk janë duke funksionuar, si mungesë e buxhetit.

“Odat duhet të funksionojnë. Po e shihni sa problemet janë në shëndetësi. Ne kemi bërë kodin etik, dhe çdo shkelje ishte dënuar. Por, shëndetësia është në kaos total. Neve nuk po na lejojnë të punojmë dhe situata është çfarë është. Me të gjitha odat është situata e njëjtë, si me atë të stomatologëve, farmacistëve, fizioterapeutëve, infermierëve, është një bllokadë totale”, ka shtuar zonja Hundozi.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG