Ndërlidhjet

Rusia ka “obsesion të sëmurë” ndaj SHBA-së


Putin dhe Obama
Putin dhe Obama

Rusia, në veçanti Kremlini, ka një obsesion të sëmurë dhe të gabuar ndaj interesave të SHBA-së dhe kjo bën që marrëdhëniet e tensionuara midis Uashingtonit dhe Moskës të mos përmirësohen shpejt, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul.

McFaul, i cili ka qenë arkitekti kryesor i “rivendosjes” së marrëdhënieve me Rusinë, gjatë mandatit të parë të presidentit Barack Obama, ka qenë njëri nga ambasadorët më të poshtëruar amerikanë në Rusi.

Gjatë mandatit të tij dyvjeçar, që ka përfunduar në shkurt të vitit 2014, McFaul është ndjekur rregullisht nga gazetarët e televizionit shtetëror rus dhe nga aktivistët e Kremlinit dhe është akuzuar publikisht për komplot për të nxitur revolucion në Rusi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, McFaul, i cili tani ligjëron në Universitetin Stanford të Kalifornisë, thotë se edhe para se ka marrë postin në janar të vitit 2012, ai është etiketuar si rebel nga disa zyrtarë dhe agjenci ruse, sidomos para zgjedhjeve presidenciale në Rusi, që janë mbajtur në mars të atij viti.

“A ishte e papritur për mua? Po. Sepse, është bërë aq personale dhe aq shpejt. Edhe para se të takoja ndonjë rus, në televizion ka pasur materiale për mua”, thotë McFaul, pasardhësi i të cilit, John Tefft, ka një profil më të ulët në Rusi.

McFaul thotë se Obama ka konsideruar se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është një njeri me mendje të qartë dhe pragmatik, andaj edhe ka qenë në gjendje të arrijë disa suksese të rëndësishme me Rusinë, si anëtarësimi i saj në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe marrëveshja për “Rrjetin Verior të Furnizimit”, përkatësisht për sjelljen e armëve dhe të forcave amerikane në Afganistan.

Putin, megjithatë, ka hequr dorë nga marrëdhëniet paqësore me Shtetet e Bashkuara, thotë McFaul. Sipas tij, Putin mendon se Shtetet e Bashkuara kanë për qëllim të kapin Rusinë dhe ta dobësojnë atë.

Kremlini i ka cilësuar trazirat që kanë shpërthyer në Ukrainë, në fund të vitit 2013, si rezultat i ndërhyrjes perëndimore, ndërsa protestat e Euromaidanit, që kanë çuar në rrëzimin e presidentit Viktor Yanukovych në shkurt të vitit 2014, si komplot të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Mediat ruse kanë raportuar në mënyrë të vazhdueshme se prania e një zyrtari të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, duke u dhënë ushqime protestuesve në Kiev, tregon për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara.

“Kur mendoni se shpërndarja e embëlsirave çon në ndryshim të regjimit, ju i jepni shumë pushtet një individi… Për mua, kjo është shenjë e dobësisë së Rusisë dhe e pasigurive të Rusisë dhe jo anasjelltas”, thotë McFaul.

“Në njërën anë, ata thonë se Obama është i dobët. Në anën tjetër, ata janë të frikësuar deri në vdekje nga Obama. Çdo gjë e vogël që ai dhe administrata e tij bëjnë, ata mendojnë se është e projektuar për shkatërrimin e Rusisë. Mendoj se një vend më kompetent, në udhëheqje më kompetente nuk do të brengosej çdo ditë për shkatërrimin e Rusisë”, thotë McFaul.

“Për shembull, askush në Amerikë nuk brengoset se Shtetet e Bashkuara do të minohen nga Rusia. Mendoj se në Rusi ekziston një skizofreni e vërtetë për fuqinë e Amerikës”, shprehet ish-ambasadori amerikan në Moskë, Michael McFaul. (v.tela)

XS
SM
MD
LG