Ndërlidhjet

logo-print

Problemet në fushën e farmaceutikës në Kosovë janë të mëdha. Mungesa e barnave të regjistruara në tregun farmaceutik është njëra nga problemet, me të cilat po ballafaqohen farmacistët, por edhe qytetarët.

Farmacisti Alban Desku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse çdo vit tregu farmaceutik po plotësohet me barna të nevojshme, mungesa e tyre po vazhdon.

“Mungesë të barnave ka, por për çdo vit ka pak e më pak. Por, në qoftë se llogaritet me trendin evropian ne jemi ende prapa. Këtë vit ka pasur mungesë të barnave që janë shumë thelbësore për trajtimin e problemeve të ndryshme".

"Ende nuk është tregu i mbushur sa duhet dhe kjo ndikon shumë më pastaj në kontrabandimin me mallra. Kur nuk ka furnizim të rregullt më pastaj tregu duhet të mbushet dhe kontrabanda është e pa shmangshme".

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë janë marrë hapa konkret për thjeshtësimin e procedurave për regjistrim dhe import të produkteve mjekësore.

Ndërkaq, Arianit Jakupi, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar mbi 160 molekula të reja janë të regjistruara në 613 lloje të ndryshme të barnave.

“Gjatë vitit të kaluar në AKPM ka pasur një regjistrim masiv të barnave pasi që kemi mbi 160 molekula të reja e që janë të regjistruara në 613 lloje të ndryshme të barnave, dhe kjo na tregon neve se me kohën ne jemi duke e zvogëluar mungesën e barnave të cilat janë të nevojshme për pacientët në Kosovë”.

“Përveç procedurave të rregullta të regjistrimit, AKPM ka propozuar dhe është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë edhe udhëzimi tjetër administrativ që barnave të pa regjistruara, t’ju mundësohet importi i tyre për nevojat e pacientëve”.

Zoti Jakupi ka shtuar se edhe nga dy shtete evropiane është mundësuar njohja e regjistrimit të barnave në mënyrë që të ketë sa më pak mungesë barnash në tregun farmaceutik.

“Në anën tjetër janë edhe dy udhëzime të tjera administrative që kanë mundësuar njohjen unilaterale të regjistrimit të barnave nga dy shtete të fuqishme siç është Gjermania dhe Anglia, dhe në këtë mënyrë ne po sigurojmë që çdo herë të kemi më pak mungesë të barnave në Kosovë".

Sidoqoftë, zyrtarë në Doganat e Kosovës kanë deklaruar disa herë se barnat si produkte, mund të kontrabandohen shumë lehtë, për shkak se sasia e tyre është shumë e vogël, derisa vlera e tyre është e madhe.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG