Ndërlidhjet

Fondi kreditor, mundësi për vende të reja të punës


Ilustrim

Ilustrim

Ekspertë të çështjeve ekonomike, vlerësojnë se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë. Për më shumë, ky fond do të përmirësojë qasjen në financa të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Kabineti qeveritarë i Kosovës të mërkurën në mbledhjen e qeverisë ka miratuar projektligjin për themelimin e Fondit Kosovarë për Garanci Kreditore

Fondi, sipas kabinetit qeveritarë do të themelohet me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID), me 20 milionë dollarë të ndara si kapital fillestar.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, themelimin e këtij Fondi e vlerëson si shumë të nevojshëm për zhvillimin e bizneseve në Kosovë.

“Nëpërmes këtyre fondeve krijohen edhe vetëpunësime, por në të njëjtën kohë krijohen edhe vende të reja të punës pavarësisht se ndërmarrjet e vogla kanë numrin e vogël të të punësuarave, megjithatë në strukturën e përgjithshme ekonomike rëndësia e tyre, niveli i tyre i punësimit në shkallë vendi është jashtëzakonisht i lartë”, thekson Gashi.

Një nga problemet thelbësore të bizneseve në Kosovë vazhdimisht ishte identifikuar qasja e kufizuar në financa.

Në shumë raporte të bëra nga shoqatat ekonomike ishte theksuar se normat e larta të kredive nga bankat komerciale, në shumë raste kishin pamundësuar zhvillimin e një biznesi dhe në të njëjtën kohë si pasojë e këtyre normave të larta ishte thënë se disa biznese në vend edhe kanë falimentuar.

Nisur nga e gjithë kjo, Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike thekson se ky Fond do të ndihmojë bizneset në këtë aspekt.

“Ky fond synon që të përmirësojë klimën e zhvillimit të biznesit në Kosovë, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që ato të mund të aplikojnë dhe të marrin kredi më kamata shumë të ulëta për arsye se garantues se ato kredi do të kthehen është Fondi investiv”, thekson Gashi.

Sidoqoftë, për ish ministrin e Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri, më e dobishme do të ishte të ndikohet në uljen e normave të larta të interesit, sesa të bëhet një fond garantues për kredi.

Ai vlerëson se bankat komerciale kanë mjete të mjaftueshme për të dhënë kredi dhe njëkohësisht për të lehtësuar kriteret e kreditimit, pasi që niveli i kredive të këqija në Kosovë është mjaft i ulët.

“Unë mendoj që më e dobishme në Kosovë do të mund të ishte rritja e shkallës së sundimit të ligjit, funksionimi i sistemit ligjor, gjyqësisë dhe efikasiteti i shqyrtimit të lëndëve nga sfera e ekonomisë. Ne e dimë që bankat komerciale kanë më shumë depozita se sa kredi”, shton Shatri.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliardë euro.

Ndryshe, norma e interesit në kredi, si për ndërmarrje, po ashtu edhe për ekonomitë familjare, sipas të dhënave të BQK-së, ka një rënie të vazhdueshme.

Derisa në fund të vitit 2014, norma e interesit ka qenë 9.2 për qind, kjo normë në muajin prill ishte 8.3 për qind, ndërsa në muajin maj 7.9 për qind.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG