Ndërlidhjet

Maqedoni: Aksioni anti-terrorist hap pozitiv, por i vonshëm


Aksioni anti-terrorist i Ministrisë së Punëve të Brendshme që përfundoi me arrestimin e 9 personave të dyshuar për veprime ekstremiste në përgjithësi ka hasur në reagime pozitive, por njëkohësisht ka ngritur edhe debate mbi veprimet e pushtetit ndaj fenomenit, funksionimin e ligjit, si dhe vet aksionin.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se aksioni u zhvillua me vonesë përkundër informacioneve të shumta në terren mbi veprimet e jashtëligjshme të individeve të caktuar.

“Këto aksione nëse janë në funksion të luftimit të ekstremizmit duhet të përshëndeten për shkak se shqiptarët janë të pozicionuar në anën e SHBA-së dhe të partnerëve të saj ndërkombëtarë".

"Por, mendoj se intervenimi është i vonuar për shkak se tani një kohë të gjatë ne kemi paraqitje të fenomeneve në shoqërinë tonë në Maqedoni, por veprime të tilla nuk janë marrë dhe nuk e di se pse në këtë moment është zgjedhur të ndërmerret ky aksion".

"Mendoj se këto kërcënime po i afrohen Ballkanit dhe mendoj se duhet të jemi të vëmendshëm dhe të mos lejojmë që ky rajon të bëhet poligon i këtyre veprimeve“, thotë Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike

Gjatë aksionit policor “Celula“, janë ndaluar 9 persona ndërsa në kërkim janë 27 të tjerë, të cilët akuzohen për pjesëmarrje dhe rektrutim të personave të tjerë për në luftuar në Siri dhe Irak.

Sipas ndryshimeve të fundit në kodin penal të Maqedonisë, veprimet e tilla dënohen prej më së paku 5 vjet burg. Por, ekspertët për çështje juridike thonë se nuk mjafton vetëm ligji për parandalimin e këtij fenomeni.

“Ligji është i mangët sepse çdo ligj që sillet në një shtet fillimisht duhet të trajtojë anën psikologjike të fenomenit. Pse këta njërëz shkojnë atje? Cilat janë arsyet? Ne mund të themi se janë ekonomike, politike, ideologjike e arsyje tjera, por vallë a nuk e ka ditur shteti se këta njerëz shkojnë në vatrat e luftës. Shteti është i detyruar ti parandaloj fenomenet e tilla e jo vetëm ti dënoj. Këtu nuk janë përdorur masat e parandalimit".

"Unë aksionin e përshëndes, por si ngjarje konsideroj se është shumë e komplikuar se mund të jetë vetëm se fillimi i fillimit të këtij fenomeni“, thotë Bashkim Selmani, ekspert për çështje juridike.

Ndërkohë, përmes një komunikate ka reaguar edhe Bashkësia Fetare Islame e cila i kërkon organeve të drejtësisë, transparencë dhe drejtësi në zbardhjen e plotë të rastit, por në të njejtën kohë shpreh edhe kundërshtimin e saj për pjesëmarrjen e qytetarëve të Maqedonisë në luftërat në Siri dhe Irak duke i konsideruar të pakumptimta dhe në kundërshtim me parimet islame.

“Bashkësia Islame i ka bërë me dije opinionit të gjerë se këto luftëra janë të pakuptimta dhe të huaja për ne, andaj Bashkësia Islame është kundër çdo bashkëngjitjeje në këto luftëra. Terrorizmi asnjëherë nuk ka qenë i mirëseardhur, sepse ai është kulmi i kriminalitetit, aq më tepër kur bëhet në emër të fesë...“ thuhet në reagimin e BFI-së.

Aksioni antiterrorist “Celula“ është përshënderur nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.

“Jemi të informuar se ky operacion ishte rezultat i një hetimi të gjatë dhe të vëmendshëm nga ana e policisë, shërbimeve të zbulimit dhe Zyrës së prokurorit, në pajtim me ligjet e reja anti-terrorizëm në Maqedoni".

"Mbështesim përdorimin e procedurave të drejtësisë penale nga ana e Qeverisë, për të ndaluar lëvizjen e luftëtarëve terrorist drejt rajoneve të konfliktit, për të frenuar dhunën , dhe për të luftuar fuqimisht ekstremizmin“, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

XS
SM
MD
LG