Ndërlidhjet

Përmbytjet në Tetovë, alarm për qeverinë


Tetovë, 4 gusht

Tetovë, 4 gusht

Në Shipkovicë të Tetovës ekipet e shpëtimit dhe banorët lokalë vazhdojnë gërmimet për gjetjen e vajzës së humbur gjatë vërshimeve të së hënës.

Ndërkohë që për çdo ditë nga shumë ndërmarrje private dhe organizata humanitare arrijnë ndihmat në ushqim dhe pako me ujë për viset e prekura nga vërshimet në rajonin e Tetovës ku kanë humbur jetën 5 persona.

Qytetarët e kësaj ane theksojnë se autoritetet lokale veprojnë me tërë kapacitetet që disponojnë, por mbetet shumë për të dëshiruar sa i përket ndihmës nga pushteti qendror, ndihmë e cila nuk është e mjaftueshme në raste të fatkeqësive të mëdha, siç ishte kjo e vërshimeve në fillim të kësaj jave.

“Po ka kafshë, ka shumë mbeturina të cilat janë sjellë nga pjesët më të larta të bjeshkës, ky përrua madje është i njohur për hedhjen e mbeturinave dhe sigurisht nëse nuk do të bëhej pastrimi urgjent i kësaj pjese por edhe i pjesëve të tjera të fshatit, meqë jemi në pikën e verës, sigurisht se dhe mundësitë për përhapjen e epidemive eventuale janë shumë të mundshme".

"Prandaj, detyrimisht duhet të merren masa adekuate dhe mos intervenohet me pesë ose dhjetë ushtarë, sepse këtu ka nevojë për një grup më të madh të njerëzve dhe makinerive të cilët do të ndihmonin”, thekson Arben Halili, banor i Shipkovicës, ish drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë theksojnë se përmbytjet në rajonin e Tetovës paraqesin ndezje alarmi se shteti duhet të heqë dorë nga projektet, siç i quajnë ata, populiste, si "Shkupi 2014", me ç'rast, së fundmi për këtë projekt janë ndarë rreth 600 milionë euro për përfundimin e muzeut të VMRO DPMNE-së dhe Rrota Panoramike për të cilën janë paraparë të shpenzohen 18 milionë e 300 mijë euro.

Ndërkohë, që familjet e prekura nga vërshimet ndihmohen vetëm me 30 mijë denarë, përkatësisht rreth 500 euro.

Kryetarja e asociacionit të arkitektëve në Maqedoni Sonja Rexhenoviq Jovanoviq, konsideron se Shkupi si kryeqytet është i stërmbushur me objekte dhe nuk ka nevojë për as edhe një investim plotësues në këtë drejtim.

Sipas saj, paratë e ndara për Rrotën Panoramike duhet të ri-destinohen për investimet në infrastrukturë, pastrimin e rrjedhave të lumenjve si dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës, veçanërisht në pjesët rurale të Maqedonisë.

“Askush deri më tani nuk është ulur nga ana e qeverisë që seriozisht të shqyrtojë, përkatësisht të analizojë se çka është me prioritet për interesat e qytetarëve të Maqedonisë. Madje, mendoj se në Qeveri nuk ka persona kompetentë të profileve të caktuara të cilët kanë kapacitet që ta bëjnë një gjë të këtillë, pra që të hartojnë programe strategjike për zhvillimin e viseve të caktuara në të mirë të popullatës”, thekson Jovanoviq.

Ndërkaq akademik Abdulmenaf Bexheti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thekson se është evident keqmenaxhimi i parave.

“Parime themelore me të cilat matet menaxhimi i mirë i mjeteve nga arka e shtetit, janë efikasiteti, efektiviteti, transparenca dhe përgjegjësia. Në parim asnjëra nga këto komponente nuk plotësohet ku bëhet fjalë për menaxhimin e mjeteve nga arka e shtetit”, thekson zoti Bexheti.

XS
SM
MD
LG