Ndërlidhjet

Politika zvarrit gjetjen e të zhdukurve


Ndërprerja e gërmimeve në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur nga Kosova në Kozarevë të Novi Pazarit, në Serbi, ka rritur shqetësimet dhe brengat e familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë.

Ata, përveç autoriteteve në Serbi, kanë kritikuar institucionet e Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar që nuk po bëjnë trysni më shumë lidhur me këtë çështje në Beograd.

Bajram Qerkini, nga Këshilli Koordinues i Asociacionit të Familjarëve të të Zhdukurve, tha për Radion Evropa e Lirë, se nisja dhe ndërprerja e gërmimeve në vendin e quajtur Kozarevë është një lojë e radhës e politikës serbe me fatin e të zhdukurve dhe familjarët e tyre.

“Nuk është ai i vetmi lokacion që ka mbetur në gjysmë, ka shumë lokacione që kanë mbetur të tilla. Katër vjet ka zgjatur Rudnica deri sa u zbulua dhe ajo ka mbetur në gjysmë."

"Në vend se të nxirren 350-400 persona janë gjetur vetëm 55. Kështu që edhe këtu në varrezat e Novi Pazarit, gjegjësisht në Kozarevës, në lumin e Kozicës, ku dyshohet dhe ka dëshmi se janë 50 veta puna ma mbet në gjysmë”, tha Qerkini.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur të Kosovës, ka shpjeguar arsyet se pse pala serbe ka ndërprerë punimet.

“Pala serbe ka gërmuar 50 metra në njërin kanal, 57 metra tjetrin dhe i ka ndërprerë punimet për arsyje se thotë se nuk kemi buxhet për gërmime të mëtutjeshme".

"Sipas informatave tona ka mbetur pa u vlerësuar gjatësia 20 metra në vazhdim të atyre kanaleve dhe gjerësia 10 metra. Kështu ata nuk refuzuan të mos punohet, por me kërkesë të re dhe urdhëresë të re të vazhdohet me arsyetim se nuk kanë buxhet për më tutje”, ka sqaruar Gjetaj.

Gjetaj tha se nga autoritetet e Serbisë është kërkuar që gërmimet të bëhen në anën e majtë të lumit Kozarica, në vendin për të cilin pala e Kosovës ka informacione për varrezë të dyshuar masive, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ai tha se një kërkesë e ngjashme është bërë edhe për një lokacion në Rudnicë të Rashkës, afër lokacionit ku tashmë është zbuluar një varrezë masive, me trupat e mbi 50 civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Edhe kjo është formë e opstruksionit e lojërave të cilat ata, siç dinë sikur në rastin Rudnicës, të zvarrisin këtë çështje”, u shpreh Gjetaj.

Qerkini ka theksuar se familjarët e personave të pagjetur presin nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare më shumë angazhime për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre.

“Kemi një kërkese, një apel, një lutje të madhe për ndërkombëtarët që mos t’i lënë ata politikanët e Kosovës dhe Sebisë që të luajnë me ndjenjat e familjareve të të pagjetureve”, tha Qerkini.

Drejtues të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur nga Qeveria e Kosovës, kanë deklaruar se në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, si komision, po përballen me vështirësi në bashkëpunim të duhur me institucionet përgjegjëse të Serbisë.

Sipas shifrave zyrtare, ende janë mbi 1,600 persona nga Kosova, fati i të cilëve mbetet i pazgjidhur.

XS
SM
MD
LG