Ndërlidhjet

logo-print

Sulme të dhunshme godasin Turqinë

  • RFE /RL

Turqi

Turqi

Sulme të dhunshme kanë goditur të hënën Turqinë, duke lënë të vrarë gjashtë anëtarë të forcave të sigurisë në juglindje të vendit.

Në Stamboll, dy sulmues kanë hapur zjarr jashtë Konsullatës së Shteteve të Bashkuara, por nuk ka pasur të plagosur apo të vrarë.

Katër policë janë vrarë nga një shpërthim në provincën Sirnak, ndërsa pak kohë më vonë, persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj një helikopteri ushtarak, duke vrarë një ushtar.

Sulmues të Konsullatës amerikane kanë qenë dy gra, të cilat kanë ikur pas të shtënave të policisë, por njëra nga to është arrestuar më vonë, kanë raportuar mediat turke.

Një zyrtar i Qeverisë në Ankara ka thënë se një grup radikal marksist, i njohur si Fronti Revolucionar për Çlirimin e Popullit, qëndron prapa sulmit në konsullatë.

Ky grup, në vitin 2013, ka marrë përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës ndaj Ambasadës amerikane në Ankara.

Konsullata ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter se do të jetë e mbyllur deri në njoftimin e radhës.

Në një sulm tjetër në Stamboll, në lagjen Sultanbeyli, ka shpërthyer një makinë-bombë, duke vrarë një ushtar dhe plagosur dhjetë persona të tjerë, në mesin e tyre tre policë.

Pas sulmit ndaj helikopterit ushtarak në provincën Sirnak, helikopterët turq kanë bombarduar caqe të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Armëpushimi me grupin është shfuqizuar në korrik, kur Turqia ka nisur të bombardojë kampet e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në veri të Irakut.

Turqia po ashtu ka deklaruar se do të marrë një rol më aktiv kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS).

Udhëheqësi i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Cemil Bayik, ka akuzuar Turqinë se bën përpjekje të mbrojë xhihadistët e Shtetit Islamik, duke sulmuar luftëtarët kurdë.

“Ata e bëjnë këtë për të kufizuar luftën e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit kundër grupit të Shtetit Islamik. Turqia është duke mbrojtur IS-in”, ka thënë Bayik në një intervistë për BBC-në.

Luftëtarët kurdë – në mesin e tyre edhe pjesëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit – kanë shënuar fitore të rëndësishme kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Por, Turqia, ashtu si edhe NATO dhe një numër vendesh perëndimore, e konsideron Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit si organizatë terrroiste.

Lideri i partisë kryesore opozitare, pro-kurde në Turqi, Selahattin Demirtas, ka kritikaur ashpër autoritetet qeveritare për, siç ka thënë ai, tërheqjen e Turqisë në luftë.

“Çmenduritë më të mëdha në këtë vend i sjell partia në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim. Ajo po na detyron të hyjmë në luftë, askush tjetër. Njerëzit duan paqe. Partia Popullore e Kurdistanit ka deklaruar po ashtu se do paqe. Ajo ka deklaruar se është e gatshme për bisedime në Pallatin Dolmabahçe (ku ndodhet zyra e kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu). Por, ata thonë ‘jo’, do të shkojmë në luftë, pa marrë parasysh asgjë”, ka thënë Demirtas.

Turqia, muajin e kaluar, ka kryer një operacion të madh të sigurisë, duke arrestuar rreth 1,300 njerëz, që dyshohet se kanë lidhje me organizatat terroriste, përfshirë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, Shtetin Islamik dhe grupin marksist.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG