Ndërlidhjet

logo-print

Opozita provon të rrëzojë vendimin e Kuvendit për Specialen


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Partitë opozitare në Kosovë kanë finalizuar lëndën me të cilën do të provojnë që përmes Gjykatës Kushtetuese të kontestojnë kushtetutshmërinë e vendimit të Kuvendit të Kosovës në lidhje me amendamentin për themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, pritet që të procedojnë lëndën për në kushtetuese të martën.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë për Radion Evropa e Lirë se amendamenti i miratuar parasheh themelimin e një gjykate që ka si qëllim diferencimin etnik dhe jo dënimin e krimeve në përgjithësi.

Si e tillë, kjo gjykatë, sipas saj, paraqet edhe shkelje të sovranitetit të Kosovës. Haxhiu ka numëruar edhe disa nga argumentet në të cilat mbështetet opozita në pritje që Gjykata Kushtetuese ta interpretojë si jo kushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës të datës 3 gusht, kur u miratua amendamenti për themelimin e kësaj gjykate të posaçme apo speciale.

“Ne konsiderojmë që amendamenti në fjalë është në shpërputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vetëm po ta lexojmë, në fillim të këtij amendamenti thuhet që ‘pavarësisht dispozitave tjetra kushtetuese...’, pra ky amendament e suspendon edhe kushtetutën e Republikës së Kosovës".

"Ne në seancën kur është shqyrtuar ky amendament kemi kërkuar respektim të procedurave, sepse kryetari i Kuvendit kishte obligim kushtetues që ta dërgonte këtë amendament së pari në Gjykatë Kushtetuese për të konstatuar se a i pakëson të drejtat e njeriut. Kështu që është bërë shkelje kushtetuese. Pra, do ta kontestojmë si në aspektin procedural ashtu edhe në atë përmbajtësor”, ka thënë Haxhiu.

Argumentet e veta, opozita i mbështet sidomos në riprocedimin e amendamentit kushtetues për miratim në Kuvend, pavarësisht që ai në seancën e 26 qershorit ishte rrëzuar nga deputetët.

Sipas deputetes Albulena Haxhiu, pas riprocedimit, ky amandament u miratua pa i respektuar procedurat paraprake dhe si pasojë e një trysnie të paparë që u bë ndaj disa deputetëve nga strukturat qeveritare dhe faktori ndërkombëtar.

Ajo beson se Gjykata Kushtetuese do t’i marrë për bazë zhvillimet mes dy votimeve dhe të interpretoj drejt vendimin e Kuvendit të Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese në fazën paraprake nuk e ka pasur të drejtën që të shqyrtojë kushtetutshmërinë e kapitujve tjerë të kushtetutës, mirëpo vetëm kapitullin dy në raport me të drejtat e njeriut".

"Duke marrë parasysh që ky amendament krijon sistem paralel, pra nga Gjykata Themelore deri te ajo Supreme, madje edhe organ paralel të Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit, mendojmë që ka bazë të mjaftueshme që Gjykata Kushtetuese ta hedh poshtë këtë amendament”, ka theksuar Haxhiu.

Marrë parasysh faktin që amendamenti kushtetues ishte rrëzuar në seancën e 26 qershorit, opozita konsideron se me atë vendim ishte dashur të përmbyllej kapitulli i këtij amendamenti.

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thekson se riprocedimi për një çështje që ishte mbyllur, nuk ka bazë juridike.

Nuk është dashur të përsëritet votimi për një çështje që tashmë ka kaluar votimi në Kuvendin e Kosovës duke qenë deputetët kundër”, ka thënë Isufi.

Me gjithë kundërshtimet e opozitës, miratimin e amendamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte e kanë përshëndetur presidentja dhe kryeministri i Kosovës si dhe përfaqësues të shumtë ndërkombëtar.

Gjykata e Posaçme për Krime Lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.

Këto dhoma do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG