Ndërlidhjet

Mbi 1,250 femra të ekzaminuara me mamografin mobil


Ilustrim
Ilustrim

Vitin e kaluar mamografi mobil u vu në shërbim të grave të cilat duan ta bëjnë falas kontrollin e gjirit.

Grupi i grave deputete kanë qenë ato që kanë iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës të kryejnë kontrollet e gjirit.

Mamografi mobil është blerë në vlerë prej 265 mijë eurosh. Ndonëse në fillim të punës, ka pasur disa telashe me funksionimin, ky shërbim tashmëpo funksionon mirë.

Ardian Bicaku - koordinator për mamografin mobil, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë për punën që është bërë për disa muaj lidhur me këtë shërbim.

"Që gjashtë muaj po punojmë në teren. Janë ekzaminuar rreth 1,254 femra. Numri i grave që ekzaminohen me mamografin mobil është pothuajse i barabartë me punën në QKUK. Deri tash janë diagnostikuar 5 femra me kancer në gji", bëri të ditur ai.

Zoti Bicaku ka shtuar se përqindja e grave që bëjnë ekzaminime të gjirit është shumë e vogël dhe brengosëse.

"Shënimet janë pak brengosëse, pasi që rreth 80 për qind e femrave të ekzaminuara, asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë bërë mamografi. Në vitin 2008, është bërë një hulumtim, ku ka rezultuar që 90 për qind e grave asnjëherë nuk kanë bërë. Por as shumë vjet pas nuk kemi një situatë më të mirë", tha Bicaku.

Ndryshe, kanceri i gjirit zë vendin e parë në tumoret malinjë që prekin gratë.

Shqetësues është fakti se në Kosovë çdo vit zbulohen rreth 200 raste të reja me kancer.

Përhapja e sëmundjes së kancerit të gjirit në botë dhe në vendet e rajonit është alarmante, thonë zyrtarë shëndetësorë.

Serbeze Kabashi drejoreshë e radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,ka theksuar se ndonëse ka sfida rreth ekzaminimit me mamografin mobil nëpër territorin e Kosovës, ky shërbim ka një rëndësi shumë të madhe për gratë.

"Puna e mamografit mobil ka një rëndësi të madhe për femrat e Kosovës. I kemi përkushtuar rëndësi të madhe që të mos dështojë, ndonëse kemi pasur sfida. Por me organizimin e duhur të klinikës së radiologjisë dhe stafit komplet, nuk do të mund të funksiononte. Mirëmbajtja e tij ka pasur shumë sfida. Megjithatë presim përkrahje financiare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës".

"Sa i përket fluksit të pacienteve, ka rënë përqindja në QKUK, por këtu prapë punohet me kapacitete të plota. Për të qenë të kompletuar, ne kemi prezantuar edhe në Parlamentin e Kosovës se na duhet diagnostika e gjirit, na duhet ultrazëri, pastaj diagnostika. Por megjithatë mamografi është një preventivë për karciomat e gjirit", tha Kabashi.

Por zonja Kabashi ka shtuar se në klinikën radiologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u mungojnë disa pajisje të nevojshme për diagnostikim sa i përket ekzaminimeve të gjirit.

"Ne nuk e kemi një ultrazë adekuat, dhe me plotësimin e tij do të jetë protokolli ashtu si gjithkund në botë, dhe më pastaj për diagnostikim asnjë grua nuk do të kishte nevojë të shkonte jashtë institucionit tonë", bëri të ditur ajo.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se vetëm gjatë vitit 2014, në Kosovë janë regjistruar rreth 800 raste të reja të të sëmurëve me kancer që janë trajtuar në institucione shëndetësore, por nuk dihet numri i saktë i të gjithë atyre që vuajnë nga kjo sëmundje.

Format më të shpeshta të regjistruara në Kosovë, janë kanceri i gjirit te gratë dhe ai i mushkërive te burrat.

XS
SM
MD
LG