Ndërlidhjet

Turqi: Ofensivë ajrore kundër kryengritësve kurdë


Ushtria e Turqisë thotë se ka ndërmarrë sulme ajrore kundër 17 caqeve të militantëve sot dhe dje, në kuadër të ofensivës së intensifikuar kundër kryengritësve kurdë në pjesën juglindore të Turqisë.

Në shënjestër të sulmeve ajrore në provincën Hakari ishin luftëtarët e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PPK), që në Turqi është e paligjshme. Kjo parti tash e tri dekada organizon kryengritje duke kërkuar më tepër autonomi për kurdët.

Në një njoftim të ushtrisë së Turqisë theksohet se sulmet ajrore ishin kryer rreth malit Buzul dhe rajonit Ikijaka, që janë afër kufirit me Iranin dhe Irakun.

Prej muajit korrik, kur Ankaraja e ka shpallur ofensivën që e ka cilësuar si “luftë të sinkronizuar kundër terrorit” të grupeve rivale militante, forcat e Turqisë kanë ndërmarrë shumë më tepër sulme kundër luftëtarëve të PPK-së në Turqi dhe pjesën veriore të Irakut, se sa kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Autoritetet turke, po ashtu, i kanë arrestuar qindra militantë kurdë të dyshuar në territorin e Turqisë.

Lideri i PPK-së, Cemil Bayik, e ka akuzuar Turqinë se po përpiqet t’i mbrojë militantët e Shtetit Islamik, duke i sulmuar luftëtarët kurdë.

Zoti Bayik i tha BBC-së se mendon se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dëshiruar që militantët e Shtetit Islamik të ishin të suksesshëm në luftën kundër kurdëve, në pjesën veriore të Sirisë, me qëllim që të parandalohen fitoret kurde afër kufirit me Turqinë.

Turqia, anëtare e NATO-s, i përgënjeshtron këto pretendime dhe thotë se së shpejti planifikon intensifikimin e operacioneve të veta kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Vala e fundit e sulmeve ajrore po ndodhë në periudhën kur militantët kurdë, më 10 gusht, po ashtu, e kanë filluar serinë e tyre të sulmeve kundër forcave të sigurisë së Turqisë, me ç’rast i kanë vrarë së paku nëntë vetë.

Në Stamboll një makinë e mbushur me eksploziv është përdorë për sulmin kundër stacionit të policisë.

Zyra e guvernatorit të Stambollit tha se një sulmues ishte vrarë gjatë bombardimit, ndërsa dy të tjerë dhe një polic, ishin vrarë në luftimet që pasuan.

Dy femra, po ashtu, kishin hapur zjarr kundër Konsullatës së Shteteve të Bashkuara, por askush nuk ishte plagosur.

Në pjesën juglindore të Turqisë, katër policë janë vrarë kur automjeti i tyre ka hasur në një bombë në rrugë në Silopi.

Ushtria e Turqisë ka njoftuar se një pjesëtar i saj është vrarë nga të shtënat e militantëve kurdë kundër një helikopteri të Turqisë, gjatë një sulmi në Sirnak, që është provincë e afërt me Hakarin.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG