Ndërlidhjet

Holandë: Dëshmi e mundshme për raketat ruse në tragjedinë MH17


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Prokurorët holandezë thonë se kanë gjetur pjesë të cilat mund t’i takojnë sistemit raketor BUK të prodhuar nga Rusia, në Ukrainën lindore, ku fluturimi MH17 i Malaysia Airlines, ishte rrëzuar në vitin 2014, ku vdiqën 298 pasagjerë.

Në deklaratën për media të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Holandës, e cila është e përfshirë në hetimet ndërkombëtare për tragjedinë e fluturimit MH17, thuhet se pjesët e gjetura “janë me interes të veçantë në hetimet që po zhvillohen dhe ato mund të japim informacione se kush ka qenë i përfshirë në rrëzimin e aeroplanit”.

Provat e mundshme fizike të një rakete, tashmë janë në duart e Bordit për Siguri të Holandës.

Fluturimi MH17 u rrëzua në territorin e kontrolluar nga rebelët pro-rusë në lindje të Ukrainës në korruk të vitit 2014.

Detajet që kanë rrjedhur në media, nga hetimet që po zhvillon Holanda, sugjerojnë se aeroplani është rrëzuar nga një raketë ruse e hedhur nga territori i kontrolluar nga separatistët.

Kremlini akuzon forcat qeveritare të Ukrainës për rrëzimin e aeroplanit.

Por Rusia muajin e kaluar vendosi veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mbi rezolutën, përmes së cilës do të krijohej një tribunal ndërkombëtarë, që do të gjente përgjegjësit e këtij akti.

Te gjeturat përfundimtare të hetuesve ndërkombëtarë lidhur me fluturimin MH17, pritet të bëhen publike në muajin tetor.

XS
SM
MD
LG