Ndërlidhjet

logo-print

Kosova, vend i origjinës i luftëtarëve të huaj


Ilustrim, foto nga arkivi

Ilustrim, foto nga arkivi

Kosova është vend i origjinës i luftëtarëve të huaj, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, duke shtuar se kjo çështje është shumë serioze.

Ministri Hyseni, në një konferencë me gazetarë tha se mekanizmat e sigurisë në vend aktualisht nuk kanë ndonjë informacion të besueshëm për ndonjë sulm terrorist, por sipas tij, institucionet e sigurisë janë duke vepruar njëjtë sikur të kishin ndonjë informacion për sulme.

“Kosova ka institucione kredibile, serioze të sigurisë dhe nuk duam të zihemi në befasi dhe shpresojmë shumë se nuk do të zihemi në befasi. Kosova nuk është imune dhe pikërisht pse nuk është imune po bëhen veprimet që po bëhen. Fatkeqësisht Kosova është vend i origjinës i luftëtarëve të huaj dhe atë në bazë të statistikave për kokë banori kjo çështje është shumë serioze dhe kjo është arseja se pse kaq seriozisht po merremi me këtë punë”, tha Hyseni.

Ai ka thënë se terrorizmi trafikimi me njerëz pastrimi i parave dhe trafikimi i drogës, janë fenomene që Kosova vështirë mund t’i luftojë pa një bashkëpunim sistematik ndërkombëtar.

Bashkëpunimi më i mirë ndërkombëtar për Kosovën, tha ministri Hyseni, është anëtarësimi i Kosovës në Interpol e mekanizma të tjerë të sigurisë.

Ministri i Punëve të Brendshme Hyseni është zotuar se ministria që drejton dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunimi me mekanizmat e tjerë janë duke punuar për vetëdijesimin e qytetarëve për pasojat e pjesëmarrjes në luftëra e konflikte e huaja.

“Po punojmë në përcjelljen e mesazhit adekuat që është mesazh kundër pjesëmarrjes në luftërat e huaja. Mesazh kundër radikalizmit të shoqërisë dhe ekstremizmit. Dhe ju siguroj se mesazhi që është përcjellë është pranuar shumë mirë dhe po jep efektet e duhura”, tha Hyseni.

Ministri Skënder Hyseni, ka treguar se aktualisht janë rreth 100 persona që luftojnë përkrah organizatave terroriste në Siri e Irak.

Ai ka theksuar po ashtu se të paktën 40 qytetarë nga Kosova janë deklaruar si të vrarë gjatë luftimeve në vatrat e luftës në Lindje të Mesme.

“Ky numër nuk ka pësuar ndonjë ndryshim në dy muajt e fundit. Ne jemi në përcjellje të situatës, natyrisht nuk është punë e lehtë që gjithmonë të grumbullohet informacion kredibil dhe valid, por shifrat që japim janë ato që ne konsiderojmë janë të mbështetura në fakte”, tha Hyseni.

Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, lidhur me sigurinë dhe kërcënimet e mundshme terroriste, beson se institucionet esigurisë në vend janë në bashkëpunim me autoritete kompetente ndërkombëtare.

“Institucionet përgjegjëse, siç janë AKI-ja dhe institucionet tjetra të sigurisë së Kosovës, ato duhet të jenë në bashkëpunim me mekanizmat e sigurisë së shteteve që janë të instaluar qoftë në Kosovë përmes KFOR-it dhe mekanizmave të tjerë, apo me shtetet që mbështesin Kosovën në ngritjen kapaciteteve të sigurisë”, tha Maloku.

Autoritetet e rendit në Kosovë, nuk janë në nivelin e duhur kur bëhet fjalë për menaxhimin e situatave në sektorin e sigurisë dhe kërcënimet nga terrorizimi, kanë thënë të hënën përfaqësuesit e Institutit Kosovar për Zhvillim të Politikave (KIPRED).

Lidhur me këto deklarime ka reaguar Qeveria e Republikës së Kosovës duke thanë se të gjitha institucionet e vendit janë të përkushtuara maksimalisht, duke qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e të gjitha formave të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG