Ndërlidhjet

Izetbegoviq: Propozimi i Vuçiqit – i parakohshëm


Bakir Izetbegoviq dhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi muajin e kaluar
Bakir Izetbegoviq dhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi muajin e kaluar

Anëtari boshnjak i presidencës së Bosnjë Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, ka deklaruar sot se nisma e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që së bashku të shënohet vrasja e të gjitha viktimave të luftërave të shkaktuara me shkatërrimin e Jugosllavisë, është e parakohshme dhe jo e plotë.

Mëtutje, zoti Izetbegoviq, tha theksuar se para kësaj nisme duhet të kryehet procesi i stabilizimit dhe normalizimit të raporteve të gjithëmbarshme në rajon.

“Nisma e kryeministrit Vuçiq mund të ketë përhapje vetëm nëse nënkupton ballafaqim të sinqert me të vërtetën për të gjitha krimet, pranimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe i fakteve historike të përcaktuara në këto vendime”, ka thënë Bakir Izetbegoviq.

Mëtutje, ai ka theksuar se për mbështetje të kësaj nisme, është e nevojshme edhe dënimi i qartë i aktiviteteve, që çojnë në konflikte të reja në këto hapësira, sikur që është thirrja për referendum për shkëputje, që bëhet nga liderët e entitetit Republika Serbe në Bosnjë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se në konferencën për Ballkanin perëndimor, më 27 gusht në Vjenë, do të propozoj që të shënohet dita e përbashkët për viktimat e konflikteve në Jugosllavinë e dikurshme.

Nismën e tij më herët e kanë refuzuar ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Kroacisë, Zoran Millanoviq.

XS
SM
MD
LG