Ndërlidhjet

Fillon zbatimi i Marrëveshjes për sigurimet e automjeteve


Ilustrim

Ilustrim

Nga data 12 gusht ka hyrë në fuqi zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Njohjen e Reciproke të Sigurimeve të Automjeteve, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel më 23 qershor të këtij viti.

Ministrja për Dialogun në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kjo marrëveshje mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve me mjetet motorike të regjistruara në njërin nga shtetet, Kosovë ose Serbi, e që posedojnë sigurim valid për territorin e palës tjetër.

“Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që udhëtojnë në dhe nëpërmjet territorit të Serbisë janë të obliguar që të kenë në posedim të tyre, përveç sigurimit/policës bazë për automjetet e tyre, edhe MTPL Plus”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe Policia e Kosovës thuhet se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e rregullt dhe të përpiktë të kësaj marrëveshjeje.

Qeveria i fton qytetarët që të raportojnë pranë institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për çdo parregullsi eventuale që mund ta hasin gjatë zbatimit të marrëveshjes, me qëllim të identifikimit dhe eliminimit të tyre.

XS
SM
MD
LG