Ndërlidhjet

Clinton dhe Bush përplasen rreth Irakut


Hillary Clinton
Hillary Clinton

Kandidatët udhëheqës presidencial në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton dhe Jeb Bush, kanë shkëmbyer fajësi për atë se kush është përgjegjës për jo-stabilitetin e vazhdueshëm në Irak.

Tash, 12 vite pasi ish-presidenti amerikan, George Bush i riu, i udhëhoqi Shtetet e Bashkuara në luftën në Irak në vitin 2003, i vëllai i tij, Jeb Bush, aktualisht kandidat presidencial republikan, i ka akuzuar demokratët për tërheqje nga Iraku, para se të kryhej puna.

Konkretisht, kandidati Bush e ka akuzuar rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, ish-sekretare amerikane e shtetit, se ka lejuar paraqitjen brutale të grupit militant, Shteti Islamik, duke i tërhequr shumë shpejt trupat amerikane nga Iraku.

“Ishte rast i ngutjes symbyllur për tu larguar”, i tha zoti Bush një audience në Kaliforni, dhe ka shtuar se “duke u larguar me nxitim nga rreziku, mund të jetë diçka si jo e mençur, sikur të nguteni të futeni në rrezik, dhe çmimi ishte i madh”.

Ai ka theksuar se Hillary Clinton e kishte vizituar vetëm një herë Irakun, gjatë katër viteve sa ishte shefe e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara.

Këto komente të zotit Bush e kanë aktualizuar një kontest të hidhur, që për një kohë të gjatë e ka trazuar Uashingtonin dhe opinionin amerikan.

Invadimi i shpejtë e i suksesshëm i Irakut, kishte vazhduar me okupim të tejzgjatur, që e nxori në pah dhunën sektare dhe një qeveri qendrore tejet të dobët.

Lufta në Irak, jo vetëm që është një pikë e konfrontimit ndërmjet politikanëve republikanë dhe demokratë, por ajo ndoshta ka ndikuar që Hillary Clinton, në vitin 2008, e ka humbur nominimin presidencial demokrat kundër kandidatit anti-luftë, Barack Obama, i cili tash është president i Shteteve të Bashkuara, në mandatin e tij të dytë.

Në vitin 2002, derisa ishte senatore nga Nju Jorku, zonja Clinton votoi në favor të ish-presidentit, George Bush, duke e autorizuar invadimin në Irak, por më vonë ajo tha se ky votim ishte i gabueshëm.

Tash, e ballafaquar me akuzat e fundit të Jeb Bushit, ekipi i fushatës së saj, i ka mbrojtur të arriturat e ish-sekretares amerikane të shtetit.

“Kjo është një përpjekje e fuqishme për rishkrimin e historisë dhe për shmangien e përgjegjësisë”, tha Jake Sullivan, për një kohë të gjatë ndihmës në politikën e jashtme, që konsiderohet kandidati më serioz për tu bërë këshilltar për siguri kombëtare i zonjës Clinton, nëse ajo zgjidhet presidente.

“Presidenti Bush e pat nënshkruar një marrëveshje, e cila kërkonte nga ne, që të tërhiqemi deri në vitin 2011”, tha Sullivan.

Ai ka theksuar se “ata nuk duhet të lejohen që t’i shmangen përgjegjësisë për gabimin real këtu”, dhe ka shtuar se grupi Shteti Islamik ka lindur nga al-Kaida në Irak, që lulëzoi pas invadimit të Shteteve të Bashkuara.

“Ai nuk ka ekzistuar para invadimit”, tha Jake Sullivan, dhe ka shpjeguar se “u paraqit në masë jo të vogël si pasojë e strategjisë së dështuar të presidentit Bush”.

Sipas tij, ky grup militant “ka fituar fuqi duke i anëtarësuar ish-oficerët ushtarakë sunitë, oficerët nga ushtria, të cilën administrata e Bushit e pat shpërndarë”.

Në fjalimin e tij, Jeb Bush, tha se Shtetet e Bashkuara tash duhet të luftojnë kundër grupit militant, Shteti Islamik.

“Në vend që thjesht të reagojmë ndaj çdo lëvizjeje të re, që terroristët zgjedhin ta bëjnë, ne do ta përdorim secilin avantazh për të ndërmarrë ofensivë, për ta mbajtur atë dhe për të mbizotëruar”, tha Jeb Bush, por ka shprehur nevojën e veprimit me aleatët.

“Në gjithë këtë, Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me miqtë dhe aleatët dhe të udhëheqin përsëri në atë rajon vital”, tha kandidati presidencial, Jeb Bush.

Ai ka sugjeruar se më tepër ushtarë amerikanë duhet të vendosen në Irak dhe se ata duhet të përfshihen më shumë në operacionet luftarake, për t’i shkaktuar disfatë grupit, Shteti Islamik, megjithëqë zoti Bush, në këtë aspekt, nuk ka dhënë diçka specifike.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG