Ndërlidhjet

Shkup: Zvarritje në zbatimin e marrëveshjes politike


Marrëveshja e 2 qershorit dhe protokolli i 15 korrikut kanë afate të shkurtra për t'u zbatuar andaj nga subjektet politike kërkohet angazhim maksimal për zbatimin e zotimeve të dhëna për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë politike.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar vonesat e partive të cilat nuk kanë ndërmarrë ende asnjë hap konkret për zbatimin e dokumentit të arritur me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar të BE-së dhe SHBA-së.

Partitë thonë se dy takimet e mbajtura deri më tani më tepër kanë qenë të karakterit teknik se sa të atij përmbajtësor.

Çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet në kodin zgjedhore janë vënë së fillimisht për zgjedhje për të vazhduar në shtator me zgjedhjen e prokurorit special që për prioritet s'do të ketë hetimin e aferës së përgjimeve të publikuar nga opozita, që edhe nxiti krizën politike.

Në dhjetor pritet dorëheqja e kryeministrit, Nikolla Gruevski për t'i hapur rrugën formimit të qeverisë kalimtare e cila do të ketë mandat organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në prill të vitit 2016.

Por, analistët thonë se nevojitet përkushtim i madh për zbatimin e të gjitha këtyre obligimeve dhe shumë të tjerave që parashihen për normalizimin e gjendjes në vend.

“Dobësi e marrëveshjes është fakti se nuk janë detajizuar të gjitha pikat e saj, pra lihet një hapësirë për manipulime dhe taktizime politike të cilat mund ta vënë në rrezik zbatimin e tërësishëm të kësaj marrëveshjeje. Pra, si pengesë mund të paraqitet çdo pikë e saj, që nga reformimi i kodit zgjedhor, caktimi i ministrave në qeverinë e re kalimtare, roli i tyre, e kështu me radhë. Pra, pa pika ku partitë me siguri se do të taktizojnë dhe komplikojnë procesin“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Edhe Zdravko Savevski, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i lëvizjes "Solidariteti", pret pengesa në zbatimin e marrëveshjes politike, ashtu siç ka pasur edhe në të kaluarën, pas çdo marrëveshje të arritur për probleme të caktuara.

“Për gjithçka mund të paraqiten probleme të mëdha, në veçanti për ato më të rëndësishmet siç është zgjedhja e prokurorit special i cili do të ketë për detyrë hetimin e aferës së përgjimeve dhe pretendimet e opozitës për përfshirjen e qeverisë në krime të rënda".

"Problem mund të ketë edhe sa i përket kompetencave të ministrave të rinj kur kihet parasysh fakti se me marrëveshjen politike, zëvendësministrat do të kenë të drejtën e vetos ndaj vendimeve të caktuara të ministrave“, thotë Savevski.

Por, ai beson se faktori ndërkombëtar, i cili edhe ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes politike nuk do të lejojë dështimin e saj dhe se presionet ndaj partive do të jenë të fuqishme për përmbushjen e detyrimeve të marra.

Ngjashëm beson edhe Xhelal Neziri, sipas të cilit, zbatimi i marrëveshjes dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike duhet të jetë interes parësor i partive pasi në të kundërtën pasojat për vendin dhe qytetarët e saj do të jetë të mëdha.

“Prezenca e faktorit ndërkombëtar dhe roli i tyre si garantues, pra në nivelin më të lartë të BE-së dhe SHBA-së, jep një siguri se kjo marrëveshje megjithatë do të zbatohet në praktikë".

"Kjo do të siguronte një terren të përshtatshëm për zgjedhje të lira dhe demokratike ku çdo qytetarë në mënyrë të lirë dhe pa presione do të shpreh vullnetin e tij në zgjedhjet e parapara të mbahen më 24 prill 2016“, thotë analisti Xhelal Neziri.

XS
SM
MD
LG