Ndërlidhjet

Marrëveshja për sigurimet – TPL Plus vlen për Serbi dhe Maqedoni


Autoritetet në Prishtinë thonë se është krijuar një keqkuptim në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për sigurimin e automjeteve të arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Prishtinës zyrtare, qytetarët e Kosovës të cilët kanë valid sigurimin TPL Plus, nuk kanë nevojë të paguajnë sigurim shtesë për të kaluar në territorin e Serbisë.

Sigurimi TPL Plus, të cilin qytetarët e Kosovës e kanë paguar për Maqedoni, tani do të vlejë edhe për territorin e Serbisë.

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me fillimin e zbatimit të marrëveshjes, qytetarët nuk ngarkohen me pagesa shtesë, por lirohen nga pagesa prej 100 euro sa detyroheshin të paguanin në të kaluarën vetëm për një udhëtim brenda Serbisë.

“Në rastin e qytetarëve të Kosovës, atë të cilët posedojnë policën e sigurimeve që e kanë përdorur Maqedoni, atë do ta përdorin edhe gjatë kalimit në Serbi. E vetmja çështje që u takon qytetarëve është që t’ju drejtohen kompanive të sigurimeve ku e kanë marrë atë policë, dhe ta ndryshojnë formularin dhe ky shërbim është pa pagesë shtesë”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja me Serbinë është reciproke.

Edhe Pacolli ka sqaruar se kjo marrëveshje nuk obligon qytetarët e Kosovës të paguajnë asgjë shtesë, me kusht që të kenë valid sigurimin TPL Plus.

“TPL Plus që ka qenë qe 10 vjet e mbulon edhe territorin e Serbisë. Këtë duhet ta kuptojnë edhe qytetarët, sepse ata më nuk kanë nevojë të paguajnë asgjë shtesë. Me këtë sigurim, ata mund të udhëtojnë sa herë të duan. Kurse, dihet që njerëzit të cilët kanë pasur nevojë vetëm të kalojnë në Serbi, qoftë edhe për një ditë, janë detyruar të paguajnë më shumë se 100 euro vetëm sigurim. Kjo tash është hequr”, ka theksuar Pacolli.

Ndërkaq si zbatim jo reciprok i marrëveshjes, konsiderohet çështja e tabelave të automjeteve. Mirëpo, në lidhje me këtë, ministrja për dialog, Edita Tahiri thotë se ato janë dy marrëveshje.

E para për lëvizjen e lirë ku bën pjesë edhe ajo për tabelat e automjeteve e arritur në vitin 2011 dhe kjo e fundit për sigurimet. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të detyrohen që për kalimin në territorin e Serbisë targat RKS t’i zëvendësojnë me ato ‘prova’, të Serbisë.

Sipas ministres Tahiri, kjo çështje do të diskutohet në një takim që delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit planifikojnë ta zhvillojnë në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në muajin shtator në Bruksel.

“Kemi kërkuar një takim në shtator në Bruksel për të diskutuar këto çështje. Ne në atë takim do të insistojmë në reciprocitet, që nënkupton se Serbia ose duhet t’i heq këto tabela ‘prova’ për automjetet e Kosovës, ose ne do ta zbatojmë të drejtën tonë si shtet për të aplikuar tabela ‘prova’ për automjetet nga Serbia”, ka thënë tutje Tahiri.

Në anën tjetër, Rrahim Pacolli inkurajon qeverinë e Kosovës që nga 1 shtatori, të zbatojë masa reciprociteti ndaj Serbisë në lidhje me tabelat e automjeteve.

Nëse nuk e heqin këtë masë deri më 1 shtator, i kam bërë dhe i bëj apel qeverisë së Kosovës që të aplikon masa reciproke edhe për automjetet që vijnë nga Serbia në Kosovë, në mënyrë që edhe ata të bartin targat ‘prova’ përderisa të qëndrojnë në Kosovë”, ka thënë Pacolli.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka prodhuar disa marrëveshje në funksion të normalizimit të marrëdhënieve reciproke.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar të enjten se së shpejti pritet të finalizohen edhe marrëveshjet për energjinë, kodin telefonik dhe ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG