Ndërlidhjet

Serbët kërkojnë sërish lirimin e Oliver Ivanoviqit


Oliver Ivanoviq - foto arkivi
Oliver Ivanoviq - foto arkivi

Qindra qytetarë serbë, të prirë nga liderët lokalë, kanë protestuar sërish në veri të Mitrovicës, duke kërkuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, që të lirojë nga paraburgimi Oliver Ivanoviqin.

Ky i fundit po mbahet në paraburgim, ngaqë ndaj tij tashmë ka nisur një proces gjyqësor, i cili e ngarkon atë me akuza për vrasje dhe krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare.

Në protestën e sotme janë parë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, si dhe kryetarë të komunave veriore të Kosovës dhe zyrtarë të partisë së Oliver Ivanoviqit.

Në këtë protestë ka paralajmëruar pjesëmarrjen edhe Marko Gjuriq, i ngarkuari i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, por ai nuk është parë në turmë.

Qeveria e Kosovës nuk i ka dhënë leje kësaj radhe atij që të hyjë në territorin e Kosovës, pas deklaratave nxitëse për protesta.

Megjithatë, mediat serbe kanë transmetuar pamje ku ai shihej në veri të Mitrovicës, ndonëse nuk qartësohej nëse ishin pamjet e sotme apo të mëhershme.

Protesta ka zgjatur diç më tepër se 30 minuta dhe ka përfunduar qetë.

XS
SM
MD
LG