Ndërlidhjet

Kontrollohet cilësia e naftës


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Cilësia, sasia dhe çmimi i derivateve të naftës jo rrallëherë bëhet temë diskutimi në Kosovë.

Se cilësia e këtij produkti, pothuajse më të kërkuarit në Kosovë, është e dyshimtë, tashmë sa herë kanë deklaruar edhe përfaqësues të naftëtarëve, por që është hedhur poshtë nga zyrtarë të qeverisë.

Pas ankesave të shumta të konsumatorëve, për mashtrim në sasi dhe çmim, të premten Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka zhvilluar një aksion ku ka kontrolluar tri pika shitëse të derivateve të naftës, të cilat kanë qenë të etiketuara nga konsumatorët.

Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Lulzim Syla, kryeinspektor i Tregut në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, që sipas rezultateve të para, sa i përket sasisë në litër, sipas tij, nuk ka ndodhur ndonjë mashtrim, kurse sa i përket cilësisë ai thotë se duhet priten rezultatet nga laboratori i autorizuar.

“Deri më tash, sasia e litrës, sipas Agjencisë se Metrologjisë se Kosovës është në rregull. Kurse sa i përket cilësisë, nuk mund të them asgjë, deri sa të vijnë rezultat nga laboratori i autorizuar”, ka thënë Syla duke shtuar se në përgjithësi cilësia e naftës në Kosovë nuk është shqetësuese siç paraqitet në opinion.

Në anën tjetër, Fadil Berjani, udhëheqës i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, konsideron se cilësia e derivateve të naftës nuk është e duhur, për shkak siç thotë ai, asnjë për qind e derivateve të importuara nuk kontrollohet në kufi.

“Është shqetësuese, rasti konkret, importi bëhet nga Shqipëria, mbushet autoboti, zbrazet në pikën e karburantit, kur vjen në pikën e karburantit kontrollohet cilësia dhe del e dobët".

"Ne vazhdimisht kërkojmë që cilësia të kontrollohet në kufi. Është shqetësuese se asnjë për qind nuk është duke u kontrolluar. Nga 1.6 milion litra derivate brenda 24 orëve hynë në tregun e Kosovës, kurse as një për qind nuk kontrollohet. Kjo është tmerruese", tha Berjani për Radion Evropa e Lirë.

Se cilësia është e dyshimitë në disa operator ekonomik, Berjani e konsideron edhe paralajmërimin e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë për organizim të aksionit për kontrollim të pikave të shitjes se derivateve të naftës.

Berjani shprehet se qeveria nuk ka obligim të paralajmërojë bizneset për kontrolle, sepse kjo nënkupton përgatitje dhe përmirësim të sasisë ose gjërave tjera mashtruese.

“Ky është dështimi i radhës i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kur i paralajmëron një ditë më herët se nesër do të dalim të inspektojmë. Ky është gabim tmerrues. Mendoj se MTI-ja duhet të kontrollojë në rrugën e dytë kompanitë dhe jo të shkohet në pikat e karburantit që ndoshta deri diku cilësinë e naftës e kanë mirë".

"Prandaj kjo është një lojë, MTI-ja nuk duhet të paralajmërojë. Kosova është shtet dhe kontrollohet duhet të realizohen pa paralajmërim”, ka thënë Berjani.

Ndryshe, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të enjten përmes një komunikate për media ka njoftuar se ditën e premte do të organizojnë aksion për t’i kontrolluar pikat shitëse të derivateve të naftës për cilësinë e naftës dhe për sasinë e litrit sipas standardeve të kërkuara.

Lulzim Syla, nga ministria thotë se ky njoftim është publikuar për shkak të transparencës.

“Nuk kemi paralajmëruar, por pas ankesave të qytetarëve për disa kompani kemi marrë vendim, që t'i ftojmë mediet që të vijnë së bashku me ne, që t'i zgjedhin vetë kompanitë ku dëshirojnë të kontrollojnë. Unë nuk di si të kritikohemi kur ne jemi shumë transparentë”, shprehet Syla.

Kurse, sa i përket çmimeve të shitjes më pakicë të karburanteve të naftës, edhe përfaqësues të naftëtarëve por edhe zyrtarë qeveritar, pajtohen se në Kosovë çmimet aktuale në treg janë duke lëvizur më një ritëm pothuajse të njëjtë më lëvizjet në tregjet rajonale dhe evropiane.

Sipas disa të dhënave të Ministrise së Tregtisë dhe Industrisë, Kosova përsëri ka çmimin më të ulët të shitjes me pakicë të benzinës: çmimi mesatar gjatë javës së fundit është rreth 1.07 euro për litër, ndërsa sa i përket dizelit, përveç Maqedonisë, Kosova e ka çmimin shitës më të ulët në rajon dhe në Evropë, pasi ai sillet rreth 1.05 euro për litër.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG