Ndërlidhjet

S'ka statistika të sakta të sëmundjeve


Ilustrim
Ilustrim

Kosova nuk ka statistika të sakta për sëmundjet, për shkak të mungesës së informimit të sistemit shëndetësor.

Ndonëse sistemi i informimit shëndetësor tashmë ka filluar si pilot-projekt, dhe po përfshin disa institucione shëndetësore, viti 2017 do të jetë vit kur do të lansohet ky sistem e që do të përfshijë gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë.

Valbon Krasniqi, këshilltar i lartë politik i ministrit të Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë janë trajnuar 600 punëtorë shëndetësorë, dhe disa qendra shëndetësore edhe janë pajisur me kompjuterë adekuatë për të filluar me lansimin e sistemit të informimit shëndetësor.

"Sa i përket sistemit të informimit shëndetësor është në realizim e sipër. E shohim si shume të rëndësishëm për pacientët dhe punëtorët shëndetësorë, pasi që do të kenë informata të sakta për gjendjen e tyre, trajtimet që janë bërë në të kaluarën".

"Deri më tani ky projekt është në realizim e sipër në gjitha klinikat e QKUK së , në kujdesin primar në komunën e Prishtinës dhe spitalin e Prizrenit me rrethinë. Kjo përfshin 30 për qind të institucioneve shëndetësore e që janë duke u instaluar", tha Krasniqi.

Ndërkohë për mungesën e sistemit të informimit shëndetësorë ka folur edhe drejtori i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani.

"Sistemi i informimit shëndetësor është një komponent shumë i rëndësishëm i sistemit shëndetësor dhe mungesa e një sistemi të tillë të mirëfilltë shkakton pengesa në menaxhimin e rasteve të cilat dërgohen nga spitalet regjionale. Ne do të mund të merrnim informata për pacientët në mënyrë elektronike dhe kujdesi emergjent mjekësor do të ishte më efektiv", tha Lenjani.

Zoti Krasniqi gjithashtu ka shtuar se së shpejti do të fillojë edhe faza e dytë e këtij projekti.

"Ndërkohë për fazën e ardhshme është në prag të nënshkrimit marrëveshja me qeverinë e Luksemburgut e që do të ketë shtrirje në rrjetet e hardverit në gjithë institucionet shëndetësore e që në fund të vitit 2017 të kemi të kompletuar sistemin e informimit shëndetësor", bëri të ditur Krasniqi.

Ndërkaq zoti Lenjani ka shtuar se ndonëse sistemi i informimit shëndetësor ka filluar qysh në vitin 2005, asnjëherë nuk ka mundur të funksionojë.

"Kjo ka filluar në vitin 2005 dhe është një sistem multi-disiplinar kompleks që kërkon angazhimin e të gjithëve. Deri në lansimin e tij do të krijojë pengesa të mëdha në sistemin shëndetësor".

"Sikur të jetë viti 2017 vit i implementimit total i informimit të sistemit shëndetësor do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe ngritjen e kapaciteteve mjekësore dhe do të ndikojë në uljen e vdekshmërisë, sëmundshmërisë dhe invaliditetit dhe do të mund të hynim në një hap drejt sistemeve të avancuara evropiane që të paktën të jemi në vijën e menaxhimit të rasteve sa më mirë", tha ai.

Sidoqoftë Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka qenë ajo tek e cila është bërë lansimi i Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor e që është institucioni i parë prej 68 institucioneve që do të përfshihen në këtë projekt.

XS
SM
MD
LG