Ndërlidhjet

Politika, nxitëse e nacionalizmit mes të rinjve


Nga protestat e muajit maj në Shkup
Nga protestat e muajit maj në Shkup

Një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit është zhbërja e hendekut mes dy etnive më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Por, incidentet e dhunshme të cilat janë të pranishme gjithnjë e më shumë mes të rinjve pas ndeshjeve të futbollit në stadiume ose autobusë dhe lagje të ndryshme, paraqet tregues se kjo pikë është e dështuar.

Të rinjtë në Maqedoni thonë se shprehja e nacionalizmit është e orkestruar nga vetë politikëbërësit.

Omer Bunjaku kryetar i tifozëve “Shvercerat” të klubit futbollisti “Shkupi” thotë se udhëheqësit politikë dhe drejtuesit e lartë të institucioneve, ata të cilët janë më të thirrur që të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë mes dy etniteteve më të mëdha, angazhohen për të kundërtën duke i minuar raportet ndëretnike.

“Unë mendoj se vetë politika, posaçërisht ajo maqedonase është ajo e cila nxit përçarjen mes dy etniteteve, duke e futur mes njerëzve inatin ndaj njëri tjetrit. Dëgjuam edhe nga bisedat telefonike të publikuara në aferën e përgjimeve me ç'rast ministrja e Punëve të Brendshme dëgjohet qartë duke thënë se ata të cilët kanë rrahur dhe thyer pronat e shqiptarëve futni në njërën derë dhe lëshoni nga tjetra, sepse ata janë tonët".

"Dëshmi më të madhe se kjo nuk duhet për të nënkuptuar se kush qëndron pas incidenteve dhe kush qëndron pas këtyre të ashtuquajturve huliganë”, thekson Omer Bunjaku, duke nënvizuar se në disa raste ka kërkuar bashkëpunim me institucionet dhe gupet e tjera të tifozëve për të parandaluar incidentet, por siç thotë, këto iniciativa janë neglizhuar veçanërisht nga ana e institucioneve.

“Konkretisht ne si grup në ndeshjen e fundit të kësaj jave mes Vardarit dhe Shkupit kërkuam që nga Ministria e Punëve të Brendshme po edhe nga federata e futbollit që të ulemi të gjithë së bashku për të biseduar si të shmangen incidentet po kjo kërkesë nuk u pranua, kjo na lë të dyshojmë se incidentet ishin të planifikuara”, thotë Bunjaku.

Ai shton se hendeku mes të rinjve në Maqedoni është gjithnjë më i madh me vetë faktin se ata ndjehen më të sigurt në pjesët e qytetit apo vendet ku janë shumicë.

Nga ana, tjetër sipas Aleksandar Cvetkoskit nga organizata joqeveritare AGIS, partitë politike janë ata të cilat e stimulojnë krijimin e paranojave në aspektin etnik.

Cvetkoski thotë se veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore retorika nacionaliste vihet në funksion të partive politike.

“Grupet e tifozëve të cilat krijojnë konflikte përbëhen nga persona të cilët s'kanë arriturtë ndërtojnë identitetin e tyre personal. Pra përderisa shteti nuk ofron funksionimin e një sistemi të shëndoshë për arritjen e qëllimeve tërinjve në aspektin profesional në më shumë dimensione, atëherë atyre u mbetet vetëm një rrugë, të bëheni maqedonas apo shqiptar të mëdhenj ose më keq identiteti i vetëm i cili bën të ndjeheni të fortë të jetë ai i përkatësisë partiake”, thekson Cvetkoski.

Ai shton se për partitë politike është shumë dobiprurëse kjo formë e kanalizimit të energjisë së të rinjve e cila vihet në shërbim të interesave të tyre.

“Gjatë dy viteve të fundit pamë se politika është ajo që e stimulon shfaqen e nacionalizmit mes të rinjve, madje edhe atëherë kur ajo nuk është e pranishme përkatësisht kur të rinjtë refuzojnë të futen në atë skemë, politkëbërësit përmes mënyrave të ndryshme e stimulojnë nacionalizmin për të siguruar mbijetesën e tyre”, thekson Cvetkoski.

XS
SM
MD
LG