Ndërlidhjet

Havanë: Pas 54 vitesh, është rihapur Ambasada Amerikane


Sekretari Kerry dhe personalitete të tjera e ndjekin ngritjen e flamurit të Shteteve të Bashkuara në Ambasadën Amerikae në Havanë
Sekretari Kerry dhe personalitete të tjera e ndjekin ngritjen e flamurit të Shteteve të Bashkuara në Ambasadën Amerikae në Havanë

Marinsat amerikanë sot e kanë ngritur flamurin e Shteteve të Bashkuara me rastin e rihapjes së Ambasadës Amerikane në kryeqytetin Havanë në Kubë, derisa sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, e ka bërë një thirrje të paprecedente për ndryshime demokratike në këtë ishull, që udhëhiqet nga një parti e vetme për më tepër se pesë dekada.

"Ne mbesim të bindur se shërbimi më i mirë për popullin e Kubës do të ishte demokracia e vërtetë, ku njerëzit janë të lirë t’i zgjedhin liderët e tyre, t’i shprehin idetë e tyre, ta praktikojnë religjionin e tyre”, tha Kerry para një audience të diplomatëve kubanë dhe amerikanë në kompleksin e Ambasadës, derisa miliona vetë e ndiqnin transmetimin në televizion dhe radio.

Mëtutje, zoti Kerry, ka theksuar:

“Jemi tubuar sot këtu pasi liderët tanë, presidenti Obama dhe presidenti Castro, kanë bërë një vendim të guximshëm për të mos vazhduar të jenë të burgosur të historisë dhe për tu fokusuar në mundësitë e së sotmes dhe të nesërmes. Kjo nuk do të thotë se ne do ta harrojmë ose duhet ta harrojmë të kaluarën. Si mund ta harrojmë atë pas gjithë kësaj”, tha John Kerry.

Qëndrimi i sotëm njëditësh i zotit Kerry në Havënë është vizita e parë e një sekretari amerikan të shtetit, prej vitit 1945.

Shtetet e Bashkuara i patën ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Kubën, pak kohë pas Revolucionit Kuban në vitin 1959.

Më 20 korrik të këtij viti, është rihapur Ambasada e Kubës në Uashington.

XS
SM
MD
LG