Ndërlidhjet

logo-print

Bankat, 300 milionë euro hipoteka të pashitura


Ilustrim(©Shutterstock)

Ilustrim(©Shutterstock)

Rreth 300 milionë euro konsiderohet vlera e hipotekave që bankat komerciale kanë në dispozicion. Kjo ka bërë që kohëve të fundit, jo rrallë herë mund të hasësh shitje pronash në ankande publike të shpallura nga institucionet financiare në faqet e tyre zyrtare apo në gazetat e përditshme.
Pronat apo hipoteka bëhet objekt i shitjes nga bankat pasi kredimarrësi nuk arrin t’i paguajë këstet e kredisë, kurse banka patundshmërinë e lënë peng, me rastin e marrjes së kredisë, e nxjerr në shitje nëpërmjet ankandit publik.

Por, interesimi i palëve të treta për të blerë prona, të cilat janë objekt i shitjeve gjyqësore, nuk është i madh.

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike dhe financiare theksojnë se në Kosovë nuk është i rregulluar tregu i hipotekave, kurse tradita ndikon në mosblerjen e pronave.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, njëherësh ish-anëtar i bordit në Bankën Qendrore të Kosovës, bën të ditur se vlera e hipotekave ka arritur në 300 milionë euro.

Ai thotë se në Kosovë ekzistojnë dy fenomene të kundërta, shkalla e kredive të këqija është më e ulëta në rajon, por siç thotë ai, fenomeni tjetër që pengon uljen e normave të interesit, është niveli i lartë i kolateralit dhe mosshitja e tij.

“Kemi një ngufatje, shumë lëndë në gjykata janë vendosur në dobi të bankave, por këto asete të kolateruara nuk i blen askush. Kjo, sepse tregu i Kosovës është shumë i vogël, njerëzit njihen në mes vete dhe askush nuk dëshiron që në rajonin e njëjtë të blejë kolaterialin e dikujt tjetër, qoftë për shkak të afërsisë familjare”.

“Ndërkaq, në shtete më të mëdha, ku tregu është më i madh, mundësia e blerjes dhe shitjes së këtyre kolateraleve, është shumë më e madhe”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Profesori tjetër në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Sadiku, konsideron se tregu i hipotekave në Kosovë nuk funksionin, kështu që bankat komerciale këtë e konsiderojnë pjesë përbërëse të rrezikut, e që automatikisht ndikon edhe në lartësinë e normave të interesit.

“Ajo që ka ndikim esencial është mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe zvarritja e zgjidhjes së kontesteve të shumta ndërmjet klientëve dhe bankave, por edhe tradicionalizmit që ekziston në Kosovë”, thekson Sadiku.

Niveli i lartë i kësteve të papaguara dhe krijimi i madh i kolaterialit, është i trashëguar para shtatë vjetësh, vlerëson Mejdi Bektashi, duke shtuar se problemi që lidhet me çështjen e ekzekutimit të mjeteve të sigurimit të kredive bankare, do të mundësonte edhe uljen e kamatave për kredi.

“Këto hipoteka janë të trashëguara nga periudha e mëparshme, nga viti 2003 - 2008 kur sistemi bankar nuk ishte aq mirë i rregulluar. Pamundësia e shitjes së kolateraleve, ka të bëjë në radhë të parë me mosnjohjen apo ekzistimi i traditës që të mos blihen prona që kanë mbetur borxh”, konsideron Bektashi.

Sidoqoftë, ekspertët konsiderojnë se përfundimi i procesit të shpejtë dhe të suksesshëm të ekzekutimit të kolateralit është i nevojshëm dhe shumë i rëndësishëm për ekzistencën e një sistemi bankar të shëndoshë dhe të domosdoshëm për funksionimin e një ekonomie konkurruese.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG