Ndërlidhjet

Maqedoni: Diplomacia e politizuar


Ilustrim
Ilustrim

Sindikata e shërbimeve diplomatike në Maqedoni ka reaguar ashpër ndaj vendimit për emërimin e ish-drejtorit të Doganave për ambasador, duke theksuar se ai nuk i plotëson as kushtet minimale për të qenë diplomat.

Ndërkohë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë se tanimë është bërë praktikë që partitë politike në pushtet, kur vendosin të heqin dikë nga skena politika, mënyra më pak e dhimbshme është që ta çojnë në diplomaci, por kjo i kushton shumë Maqedonisë si shtet, në planin afatgjatë.

“Në ambasada emërohen kuadro që nuk i plotësojnë as kushtet elementare, andaj është koha që të shtypet butoni, i cili do ta ndalojë këtë praktikë. Ne, si sindikatë, kërkojmë që të ndërpritet procedura e emërimit të ish-drejtorit të doganave, Vanco Kargov, për ambasador, aq më shumë se ai është i dënuar me tre muaj burg me kusht për keqpërdorim të pozitës, dhe kjo me automatizëm pamundëson dhe marrjen e certifikatës së sigurisë"

"Do të thotë kemi shkelje flagrante të ligjit që rregullon emrin dhe punën e diplomatëve. Pra, kjo është derexheja, në të cilën ndodhet diplomacia e Maqedonisë”, thotë Sasho Todorovski, kryetar i Sindikatës së shërbimeve diplomatike në Maqedoni.

Nga ana tjetër, Alajdin Demiri, thotë se Maqedonisë i kushton shumë mungesa e profesionalizmit të diplomatëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për krijimin e aleancave me vendet e fuqishme të Evropës në funksion të interesave të Maqedonisë si shtet.

Sipas Demirit, duhet shtruar pyetjen kush duhet ta profesionalizojë diplomacinë, kur çdo pore e institucioneve është skajshmërisht e partizuar.

“Partitive politike diplomacia u ka shërbyer që të lirohen nga ajo pjesë e kuadrove, të cilët llogariten si të padëshirueshëm, e që në mënyrë shumë elegante, me anë të diplomacisë, zhduken, duke bërë që diplomacia maqedonase tëjetë në atë nivel të palakmueshëm që është”, vlerëson Demiri, ish-diplomat.

Sipas tij, Maqedonia disponon me kuadër të aftësuar në nivel të lartë të profesionalitetit, por ai kuadër mbahet larg dikasterit të Punëve të Jashtme, sepse nuk respekton direktivat e partisë.

Siç thotë Demiri, diplomatët janë vënë në funksion të pushteti dhe në funksion të interesave shtetërore të vendit.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë nuk u ngrit në nivel të profesionalizmit, për arsye se gjithmonë ishte në shërbim të pushtetit, në shërbim të politikave ditore... pra, këta janë ato handikapë që e lënë diplomacinë maqedonase në këtë nivel”, thekson Demiri.

Edhe Sasho Todorovski, kryetar i Sindikatës së shërbimeve diplomatike në Maqedoni, konsideron se pushteti, nëpërmjet labirinteve të Ligjit për punë të jashtme, i cili nuk është i precizuar sa duhet, mbush përfaqësitë diplomatike me kuadër partiak që do të sjellin vota ose benifite për partinë, po assesi për atë që emërohen të sjellin benificionepër shtetin.

“Të gjitha kërkesat e sindikatës së shërbimeve diplomatike hasin në vesh të shurdhër, madje kemi ngritur dhe një numër të caktuar të proceseve gjyqësore ndaj vendimeve jashtëligjore të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë emërimit të diplomatëve, por hasëm në një ashtu, si ta quaj, erozion të sistemit gjyqësor, i cili u vu në mbrojtje të vendimeve të pushtetit, kështu që fatkeqësisht mbetemi pa pikë mundësie të reagimit”, potencon Todorovski.

Diplomacia maqedonase viteve të fundit është përcjellë me një varg skandalesh, duke filluar nga keqpërdorimi i postit të ambasadorit në favor të bërjes së biznesit, deri te konfliktet, madje edhe fizike ndërmjet të punësuarve, pikërisht nga ata të cilët në postin e ambasadorit vinin nga politika, si ministra ose ish-zëvendësministra, ose bartës të funksioneve të larta të partisë.

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, këto veprime jo vetëm që flasin për nivelin e ulët të kuadrit diplomatik, por njëherësh prishin dhe imazhin e shtetit.

XS
SM
MD
LG