Ndërlidhjet

Turner: S’kam më dashuri për SHBA-në, por për Putinin


Joe Lynn Turner
Joe Lynn Turner

Gerard Depardieu, Steven Seagal, Mickey Rourker dhe tash edhe Lynn Turner.

Turner, 64 vjeçar, ish-këngëtari i grupeve Rainbow dhe Deep Purple, i është bashkuar listës së artistëve, që po i dalin në mbrojtje presidentit rus, Vladimir Putin.

Në një konferencë për media, të mbajtur në Krime, e cila është aneksuar nga Rusia, ku Turner ka planifikuar të mbajë tre koncerte, tha se ai “i beson” Putinit.

Kam dëgjuar të gjithë liderët botëror. I vetmi që po thotë të vërtetën është Putini”, tha Turner.

Turner foli më 12 gusht në Simferopol, në kryeqytetin e gadishullin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në mars të vitit 2014, pasi dërgoi trupat ushtarake dhe organizoi një referendum, pavarësisht se ai u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 100 shtete të tjera, të cilët e konsideruan aneksimin si të paligjshëm.

“E vërteta duhet thënë, unë më nuk kam dashuri për Shtetet e Bashkuara”, tha Turner, duke shtuar:

“Nuk më pëlqen administrata, nuk më pëlqen ajo që po ndodh, mua nuk më pëlqejnë gënjeshtrat e njerëzve. S’më pëlqen asgjë. SHBA-ja nuk është vendi i babait tim, atëherë kur kishte mundësi, kur thuhej e vërteta".

Grupi Deep Purple është pëlqyer nga shumë rusë, të cilët janë rritur me muzikën e këtij grupi në vitet ‘70 dhe ’80 - përfshirë edhe kryeministrin Dmitry Medvedev, i cili dukej i mahnitur kur në vitin 2011, priti në Presidencë anëtarët e këtij grupi.

Grupi Rainbow, gjithashtu ka qenë shumë i dëgjuar në Bashkimin Sovjetik, ku dëshira për të dëgjuar muzikë perëndimore ishte aq e madhe, pavarësisht qeverisë represive.

Aktorët Seagal, Rourker dhe Depardieu, kanë vlerësuar Putinin, madje Depardieu ka marrë shtetësi ruse, të cilën ia ka dorëzuar personalisht Putini.

Por Turner ka plane të tjera. Teksa lavdëronte Putini, këngëtari tha se ai ka mundësi që të zhvendoset në një vend tjetër, në Bjellorusi, i cili udhëhiqet nga lideri autoritar, presidenti Alyaksandr Lukashenka.

Turner theksoi se ai po mendon të zhvendoset në Bjellorusi, siç tha ai “nëse Lukashenka e lë”.

Këngëtari është i martuar me Maya Kozyreva, një avokate nga Minsku.

“Ajo është gjëja më e rëndësishëm në jetën time. Ajo është engjëlli im”, kishte deklaruar më herët Turner.

Akoma nuk është e qartë nëse Turner ka aplikuar për shtetësi të Bjellorusisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, i ka thënë Shërbimit të Bjellorusisë të Radios Evropa e Lirë, se ai nuk është në dijeni nëse këngëtari ka aplikuar për shtetësi.

Ndërkaq, zëdhënësja e Lukashenkas i ka thënë uebfaqes ruse TUT.BY se deri më tani Turner, nuk ka aplikuar për shtetësi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG