Ndërlidhjet

Kosova këmbëngul për marrëveshje në pako


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur së janë në pritje të ftesës zyrtare për raundin e radhës të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.

Ata thonë se në takimin e radhës pritet të finalizohen marrëveshjet për lirinë e lëvizjes, energjinë, kodin telefonik dhe ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Valon Murtezaj, këshilltar për çështje të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se në takimin e radhës, qasja e Kosovës do të jetë që të vazhdohet aty ku ka mbetur te disa nga temat.

Qasja e palës së Kosovës për takimin eventual të ardhshëm është që të tentohet të arrihet marrëveshje në pako. Kjo pako nënkupton se secila nga 4 marrëveshjet të jetë individuale, pra specifike mbi çështjen e lëvizjes së lirë, këtu e kemi fjalën te ura e lumit Ibër, çështja e energjisë, e Telekomit dhe Asociacionit të Komunave. Me Telekomin pala kosovare konsideron së gjërat janë të mbyllura, kurse për tema të tjera ka ende çështje të hapura”, thotë Murtezaj.

Pala nga Kosova është ankuar në vazhdimësi për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, apo edhe zbatimin e marrëveshjeve jo sipas parimeve të dakorduara në dialogun e Brukselit.

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se duhet të bëhen disa përmirësime nga pala serbe edhe në lidhje me marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Nga data 12 gusht ka hyrë në fuqi zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Njohjen e Reciproke të Sigurimeve të Automjeteve, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel më 23 qershor të këtij viti.

Qytetarët e Kosovës në rast se lëvizin në drejtim të Serbisë, detyrohen që tabelat e tyre të automjeteve me shenjat dhe simbolet e Kosovës, t’i zëvendësojnë me tabela provuese, që ua lëshojnë organet serbe në vendkalimet kufitare.

Nga ana tjetër, analisti politik, Halil Matoshi, konsideron se pa presionin e Brukselit zyrtar mbi Beogradin, asnjë marrëveshje nuk do të funksionalizohet.

“Kjo qeveri nuk ka agjendë të qartë se si duhet t’i qaset dialogut me Serbinë. Në këtë situatë, pala kosovare duhet ose që të kërkojë reciprocitet me Serbinë, ose që të tërhiqet praktikisht nga bisedimet e mëtutjeshme”, vlerëson Matoshi.

Për më tepër, Matoshi mendon se institucionet e Kosovës para se të vazhdojnë dialogun me Beogradin në Bruksel, duhet të bëjnë marrëveshje me serbët që janë pjese e organeve shtetërore të Kosovës.

Matoshi thotë se serbët që janë pjesë e institucioneve të vendit, po e minojnë funksionalitetit e shtetit.

“Qeveritarët e tyre të zgjedhur në Kuvendin dhe Qeverinë së Kosovës nga Lista Serbe, të cilët paguhen nga taksapaguesit, janë po ata që po e minojnë shtetin e Kosovës. Kështu që, unë mendoj se Qeveria e Kosovës fillimisht duhet të merret vesh me përfaqësuesit e Listës Serbe në Qeveri dhe Kuvend, siç ishte rasti i zëvendëskryeministrit, i cili praktikisht merr pjesë në protesta, të them kushtimisht, anti drejtësisë që duhet të vendoset në Kosovë”, thekson për Radion Evropa e Lirë, analisti Matoshi.

Këshilltari për çështje të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Valon Murtezaj, lidhur me disa sjellje jo të mira të pjesëtarëve të partisë politike, Lista Serbe, pjesë e institucioneve në Prishtinë, thotë se e ardhmja e Kosovës në zhvillim dhe integrim, nuk duhet të varet nga disa individë dhe sjelljet e tyre të papranueshme.

“Mund të ketë probleme të tilla apo të ngjashme dhe ne presim që edhe në të ardhmen mund të ketë (probleme), megjithatë rruga e Kosovës, e zhvillimit dhe integrimit në Evropë nuk duhet të varet nga sjelljet individuale të askujt, aq më pak të njerëzve, të cilët janë të papërgjegjshëm. Dhe, me këtë rast, në asnjë rrethanë agjenda e institucioneve të Kosovës nuk duhet të lëndohet apo dëmtohet nga çfarëdo lloj sjellje qoftë nganjëherë edhe e papranueshme”, thekson Murtezaj.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zhvillohet në nivelin politik dhe atë teknik. Qëllimi i këtij dialogu është thënë se është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në bisedime janë përfshirë tema që ndërlidhen me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe tema në lidhje me funksionimin e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku Beogradi ndër vite ka ngritur struktura paralele që funksiononin jashtë sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës.

XS
SM
MD
LG