Ndërlidhjet

Maqedoni: Grupet punuese rinisin punën për zbatimin e marrëveshjes


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Të hënën fillojnë me punë grupet punuese të partive për zbatimin e marrëveshjes politike për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.

Ndryshimet në ligjet zgjedhore dhe pastrimi i listës së votuesve pritet të jenë pikat kryesore të bisedimeve mes përfaqësuesve të VMRO DPMNE-së, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).

Nga opozita shprehen me tone optimiste rreth epilogut të marrëveshjes pavarësisht dyshimeve te VMRO-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski për mungesë të vullnetit për krijimin e një atmosfere për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 15 korrik me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Ne, mbetemi të përkushtuar në zbatimin e marrëveshjes dhe pavarësisht asaj se a ekziston vullnet ose jo për zbatimin apo moszbatimin e marrëveshjes, ne shpresojmë se marrëveshja do të realizohet në tërësi”, thotë zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Pas zgjedhjes së prokurorit special dhe ndryshimeve në Kodin zgjedhor, në dhjetor pritet dorëheqja e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për t'i hapur rrugën formimit të qeverisë kalimtare, e cila do të ketë mandat organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në prill të vitit 2016.

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni thonë se zbatimi i marrëveshjes do të hasë në vështirësi për shkak të dallimeve mes partive politike dhe tendencave nga ana e tyre për të devijuar nga pikat e marrëveshjes.

Analisti Sasho Klekovski thotë se çështja më e ndjeshme ka të bëjë me zgjedhjen prokurorit special, por ai beson se me ndihmën e faktorit ndërkombëtar edhe kjo çështje do të kapërcehet.

“Mendoj se ndaj të gjitha palëve po bëhet një presion i fuqishëm, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, që të arrijnë pajtueshmëri për të gjitha pikat e marrëveshjes. Lidhur me prokurorin special konsideroj se çështja më tepër ka të bëjë me atë nëse zgjedhja do të kërkohet në kuadër të kornizës ligjore që është në fuqi apo nëse do të kërkohet edhe ndonjë kandidat jashtë vendit”, thotë Klekovski.

Ngjashëm vlerëson edhe analisti Mersel Bilalli.

Ai vështirësi parasheh në zgjedhjen e ministrit të ri të Punëve të Brendshme dhe të prokurorit special, që, sipas tij, duhet të jetë njeri i guximshëm për të hetuar në mënyrë të drejtë dhe efikase aferën e përgjimeve, e cila edhe nxitit një nga krizat më të thella që nga pavarësia e Maqedonisë.

“Unë shpresoj në frymën e marrëveshjes, pra ajo ka afate apo data të caktuara që duhet të zbatohen. Por, nëse këto afate nuk respektohen, atëherë faktori ndërkombëtar do të ndërhyjë me propozime konkrete që palët t’i përmbahen asaj për të cilën janë marrë vesh”, konsideron Bilalli.

Në bazë të marrëveshjes politike këto ndryshime pritet të bëhen në koordinim me LSDM-në opozitare, e cila në shtator pritet të ndërpresë bojkotin më se njëvjeçar dhe të kthehet në Kuvend për të votuar si qeverinë e re, ashtu edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja në përputhje me marrëveshjen politike.

XS
SM
MD
LG