Ndërlidhjet

Siri: Dhjetëra të vrarë nga sulmet ajrore të qeverisë


Sulmet ajrore në Douma, foto nga arkivi

Sulmet ajrore në Douma, foto nga arkivi

Dhjetëra njerëz janë vrarë në sulmet ajrore të qeverisë siriane në një treg afër qytetit Damask.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se të paktën 70 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë lënduar në sulmet ajrore në qytetin e kontrolluar nga rebelët, në Douma.

Ky grup thotë se këto sulme ajrore janë kryer nga qeveria siriane dhe se “shumica e viktimave janë civilë”.

Një grup tjetër, Komiteti për Koordinim, ka thënë se në sulmet ajrore janë vrarë 67 persona dhe plagour mbi 200 të tjerë. Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar që të gjejnë persona të tjerë nën rrënoja.

Një grup për të drejtat e njeriut me bazë në Douma i ka thënë agjencisë AP se të gjitha spitalet në këtë zonë janë të mbushura me persona të plagosur nga ky sulm.

“Situata është kaotike”, ka thënë përfaqësuesi i këtij grupi Mazen al-Shami.

Më herët gjatë këtij muaji, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International akuzoi qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad për krime lufte për shkak të sulmeve ajrore në rajonin e Doumas.

Qeveria siriane akoma nuk ka komentuar për këto sulme ajrore.

Ushtria siriane dhe kryengritësit islamistë kanë kryer sulme në Damask dhe në zonat përreth këto muajt e fundit.

Sulmi i sotëm vjen një ditë pasi armëpushimi i përkohshëm i arritur një qytetin al-Zabadani u prish.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se forcat e Assadit kanë luftuar me rebelët në një qytet 50 kilometra në veri të Damaskut. Helikopterët ushtarak sirianë kanë hedhur eksplozivë në këtë qytet por nuk ka raport se ka viktima.

Më shumë se 250,000 njerëz janë vrarë dhe të paktën 1 milion të tjerë janë plagosur në luftën civile siriane, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të pestë.

XS
SM
MD
LG