Ndërlidhjet

logo-print

Raportohet për viktima nga luftimet në Ukrainë


Mariupol, Ukrainë

Mariupol, Ukrainë

Në luftimet në mes të forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, raportohet se janë vrarë 7 persona.

Sulmet me artileri kanë goditur qytetin juglindor të Mariupolit.

Banorët lokalë i kanë përshkruar luftimet midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë si më të rëndat në më shumë se tre muaj.

Raportohet se janë shkatërruar shtëpi në fshatin Sartana, i cili gjendet 5 kilometra në lindje të Mariupolit dhe gjithashtu një depo e naftës është dëmtuar.

Policia në Mariupol thotë se 2 civilë janë vrarë nga bombardimet e separatistëve në fshatin Sartana.

Ndërkaq separatistët thonë se të paktën 3 persona janë vrarë nga bombardimet e forcave qeveritare në Horlivka, që gjendet në veri të Donjeckut.

Gjithashtu raportohet për bombardime të mëdha nga forcat qeveritare në Donjeck, i cili kontrollohet nga separatistët. Zyrtarët në Donjeck thonë se të paktën 2 persona janë vrarë nga bombardimet.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë sot se zhvillimet e fundit në lindje të Ukrainës, sugjerojnë se Kievi zyrtar ka gjasa që është duke u përgatitur për luftime të mëdha.

Luftimet e fundit vijnë një javë pas luftimeve të ashpëra në mes të forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, që zhvilluan pranë Detit Azov.

Armëpushimi i nënshkruar në muajin shkurt në Minsk të Bjellorusisë, është shkelur vazhdimisht nga të dyja palët.

XS
SM
MD
LG