Ndërlidhjet

Seminari për albanologjinë, emblemë e Kosovës


Seminari i 34-të Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Seminari i 34-të Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, është institucion i rëndësishëm, me traditë të gjatë dhe të suksesshme, si dhe me mision shkencor dhe nacional.

Kështu u vlerësua ky seminar, edicioni i 34-të i të cilit ka nisur të hënën në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në hapje të këtij seminari, profesor doktor Sedat Kuçi, dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, e ka cilësuar seminarin si ngjarjen më të madhe ndërkombëtare për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

“Për Fakultetin e Filologjisë dhe universitetin tonë, kjo ditë është e shënuar. Ky seminar është bërë shenjë dalluese, emblemë, jo vetëm e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, por edhe qytetit të Prishtinës dhe e mbarë Kosovës”.

Dekani Kuqi, ka shtuar se seminari, përveç rolit arsimor, shkencor dhe kulturor, po vazhdon të përmbushë edhe shumë misione tjera, sikurse: afirmimin e vlerave të kulturës shqiptare në botë, përhapjen e mendimit intelektual shqiptar për problemet e caktuara gjuhësore, letrare dhe kulturore, njohjen reciproke të rezultateve të studiuesve shqiptarë dhe të huaj në fushat e albanologjisë, si dhe krijimin e miqësive të reja ndërmjet studiuesve shqiptarë dhe të huaj.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se gjatë katër dekadave, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka promovuar shkencën dhe kulturën shqiptare, ndërkaq, së fundmi, është bërë ambasador shumë i rëndësishëm i komunikimit kulturor të Kosovës me gjithë botën.

“Shumica nga ju, keni bartur për shumë vjet organizimin e këtij seminari, duke mos u dorëzuar përpara vështirësive, duke u vënë në kërkim të rrugëve dhe mënyrave për të mbajtur gjallë seminarin”.

“Me këtë rast, po ashtu, dëshiroj të theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës, do të bëjë gjithçka që vendi ynë, Kosova, të jetë pjesë e rëndësishme e botës shumë-kulturore. Prandaj, zhvillimet tona, do ta çojnë përpara edhe këtë pjesë, si pjesë të integrimeve evropiane dhe atyre globale”.

Kryeministri Mustafa ka falënderuar shtetin e Shqipërisë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite, për mbajtjen e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, tha se përgjegjësia për ruajtjen e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare është përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve.

“Përgjegjësia për gjuhën shqipe, për kulturën shqipe, nuk i takon një qeverie, nuk i takon një brezi, por i takon çdo njeriu që i thotë vetit shqiptar. Prandaj, përgjegjësitë që rrjedhin nga kumtesat, nga mendimet dhe idetë që hidhen në një seminar kaq prestigjioz, në vazhdimësi të plotë, siç është seminari i Kosovës, na bën edhe më të përgjegjshëm për të bashkërenduar forcat dhe energjitë për të ecur përpara”.

Drejtori i Seminarit të 34-të Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, profesor doktor Rrahman Paçarizi, theksoi se këtë vit, ky seminar po e përmbushë edhe një komponentë të rëndësishme jo vetëm të emrit, por edhe të misionit të tij.

Siç ka theksuar si, përveç sesioneve shkencore në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë, sivjet nisin edhe sesionet e veçanta për kulturën shqiptare në të gjitha dimensionet e saj.

“Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është tubimi më i madh dhe më i rëndësishëm i shkencave albanologjike, të cilat janë shumë-dimensionale dhe multi-diciplinare. Të dashur seminarist, që edhe sivjet vini nga anë të ndryshme të botës, mësoni edhe shqip, lexoni edhe shqip, shijojeni kulturën e Prishtinës dhe të Kosovës. Do të gjeni një shpirt të madh brenda”.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, do të organizojë për të huajt kurse në tri nivele për mësimin e gjuhës shqipe.

Gjatë seminarit do të ketë dhjetëra referate nga studiues shqiptarë dhe të huaj.

Tema bosht e sesionit shkencor të gjuhësisë do të jetë: Shqipja në domenin publik.

Në sesionin shkencor të letërsisë, tema bosht do të jetë: Letërsia dhe religjioni, ndërkaq, në sesionin shkencor të kulturologjisë, temë bosht do të jetë : Kultura shqiptare dhe tranzicioni.

Seminari do të zgjasë deri më 28 gusht.

XS
SM
MD
LG