Ndërlidhjet

FDH bën kallëzim penal për vrasjen e 53 civilëve shqiptarë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Fondi për të Drejtën Humanitare ka paraqitur sot një kallëzim penal për krimet e luftës ndaj dy pjesëtarëve të paidentifikuar të Njësive të Posaçme të Policisë serbe, për shkak të dyshimit të bazuar se më 17 prill të vitit 1999 në fshatin Poklek të komunës së Drenasit në Kosovën qendrore, kanë vrarë 53 civilë shqiptarë.

Në kallëzimin penal janë përfshirë edhe dy oficerë, në mesin e të cilëve është edhe komandanti i njësitit 86 të Njësive të Posaçme të Policisë, Dragan Obradoviç, për mos parandalimin dhe mosndëshkimin e kryerësve të krimit.

Në kallëzim thuhet se më 17 prill 1999, rreth orës 16, dy pjesëtarë të njësitit të 86-të të policisë së posaçme, hynë në oborrin e Sinan Muqollit në Poklek, në shtëpinë e të cilit ishin fshehur 59 persona nga fqinjësia duke përfshirë edhe refugjatë, shumica e të cilëve ishin gra, fëmijë dhe pleq. Sinan Muqolli ka dalë nga shtëpia dhe u ka thënë policëve se në shtëpinë e tij gjendeshin kryesisht gra dhe fëmijë. Ai është urdhëruar t’i nxjerrë të gjithë jashtë me duart lart.

Pasi i kanë bastisur, policët i kanë urdhëruar të kthehen në shtëpi e të mbyllin derën, derisa në oborr i kanë mbajtur vetëm Sinan Muqollin dhe Ymer Elshanin. Pas disa minutash, policët kanë vrarë Sinanin dhe Ymerin. Më pas njëri prej policëve e theu dritaren e dhomës ku gjendeshin gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe pastaj me forcë e hapi derën dhe në dhomë e hodhi një bombë dhe më pas hodhi edhe një bomb tjetër”.

Më pas një polic kishte hyrë në dhomë për të parë nëse ka të mbijetuar dhe ka qëlluar ndaj atyre që kanë dhënë shenja jete.Më pas policët kishin djegur me benzinë dhomën ku gjendeshin trupat e civilëve të vrarë.

Në këtë krim u vranë gjithsej 53 civilë, në mesin e të cilëve edhe 24 gra dhe 23 fëmijë. Shumica e fëmijëve ishin më pak se shtatë vjeç, ndërsa u vranë edhe dy foshnja njëvjeçare. Gjashtë persona mbijetuan.

Kallëzimi penal mbështetet mbi deklaratat e të mbijetuarve dhe dokumentet e Armatës Jugosllave dhe Ministrisë së brendshme të Serbisë.

Deri sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë krim, raporton Zëri i Amerikës.

XS
SM
MD
LG