Ndërlidhjet

logo-print

Fatos Bytyçi: Provat e reja të ndahen me agjencinë FBI


Pamje nga homazhet në Prishtinë, në nderim të vëllezërve Bytyçi, më 27 shkurt 2002

Pamje nga homazhet në Prishtinë, në nderim të vëllezërve Bytyçi, më 27 shkurt 2002

Fatos Bytyçi, i vëllai i tre vëllezërve të vrarë në vitin 1999 në Serbi, ka deklaruar se familja e tij insiston që dëshmitë e reja në hetime për këtë krim, t’i dërgohen agjencisë amerikane, FBI.

“Insistojmë që secili përparim ose provë të ndahet menjëherë me FBI-në, në vend se të plasohet me anë të mediave ose politikanëve”, tha Fatos Bytyçi për të përditshmen Danas në Beograd.

Ai ka theksuar se nuk e di se për çfarë provash bëhet fjalë, por zbulimi i tyre pas 16 viteve e aktualizon çështjen se kush dhe përse i ka fshehur.

“Autoritetet e Serbisë kanë pritur me muaj, para se me FBI-në i kanë ndarë provat që i kanë. Për këtë arsye insistojmë në zbulimin e plotë dhe të menjëhershëm te agjencia FBI e çfarëdo provave të reja ose të përparimit të realizuar”, tha Bytyçi.

Mëtutje ai ka theksuar se fokusimi i vazhdueshëm në prova të reja është në rregull, por ajo e shmang vemendjen nga çështja kryesore në këtë rast, që është mungesa e dëshmitaarëve.

“Shumë dëshmitarë nuk u besojnë organeve shtetërore. Ka pasur shumë rrjedhje të informacioneve, kërcënime ose frikësime që i kanë dekurajuar dëshmitarët. Porosia jonë është – nëse u besoni organeve shtetërore, tash është koha e duhur për tu paraqitur. Nëse nuk keni besim në pushtetin shtetëror, na kontaktoni neve”, tha Fatos Bytyçi.

Për rastin e vrasjes së vëllezërve Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçi, shkruan edhe e përditshmja “Nashe Novine”, e cila raporton se janë zbuluar tre pjesëtarë të njësiteve speciale anti-terror, që i kanë vrarë vëllezërit Bytyçi.

Duke u mbështetur në burime të Prokurorisë për krime të luftës, kjo gazetë shkruan se në aktakuzë nuk përfshihet ish-komandanti i xhandarmerisë, Goran Radosavleviq Guri, i cili më parë është përmendur si njëri nga të dyshuarit, pasi kundër tij nuk ka prova.

Shtetasit amerikanë, vëllezërit Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçi, kishin ardhur në Kosovë nga Nju Jorku, në vitin 1999 për tu bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ata e kaluan kufirin në Serbinë qendrore ku u zunë dhe u vranë.

Trupat e pajetë të vëllezërve Bytyçi u zbuluan në vitin 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi.

XS
SM
MD
LG