Ndërlidhjet

Përpjekje për të ndryshuar kodin zgjedhor në Maqedoni


Grupet e punës të partive politike në Maqedoni, vazhdojnë bisedimet për ndryshimet në kodin zgjedhor, por pa dhënë detaje në opinion për përmbajtjen e tyre edhe pse jozyrtartisht thuhet se palët janë përqëndruar në pastrimin e listës zgjedhore, votimin e diasporës si dhe përbërjen dhe kompetencat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Opozita ka kërkuar hartimin e një liste të re zgjedhore e cila do të ishte e hapur për regjistrim për të gjithë shtetasit që duan të marrin pjesë në zgjedhje, por kjo formë është kundërshtuar nga partitë shqiptare me arsyetimin se nga e drejta e votimit do të ngelnin shumë shqiptarë që për arsyje të ndryshme nuk do të mund të regjistroheshin në listë.

Ata kërkojnë gjetjen e modaliteteve tjera për pastrimin e listës zgjedhore dhe mbrojtjen nga keqpërdorimet e mundshme.

Ndërkohë, në debatin për ndryshimet në kodin zgjedhor janë kyçur edhe organizatat joqeveritare që vite me radhë mbikëqyrin proceset zgjedhore.

Asociacioni qytetar “Most”, i ka dorëzuar një propozim të zgjeruar partive ku ndër të tjera propozon edhe ndryshimin e modelit zgjedhor.

“Most” ka dalë me propozimin që zgjedhjet të mbahen sipas modelit proporcional me lista të hapura.

Kjo, sipas tyre, nënkupton që qytetarët fillimisht të votojnë partinë politike e më pas njërin nga kandidatët që propozohet në listën e të njejtës parti.

Drejtori i kësaj organizate, Darko Aleksov, thotë se një model i tillë nënkupton demokratizimin e partive dhe rritjen e përgjegjësisë së kandidatëve që kërkojnë të zgjedhen për deputetë

“Në dokumentin e përgatitur ne nuk flasim vetëm për lista të hapura, por edhe për përfitimet nga një ndryshim i tillë i sistemit zgjedhor, numrin e njësive zgjedhore, e kështu me radhë".

"“Most“ vlerëson se ky sistem do të motivonte kandidatët për deputetë në përmbyshjen e premtimeve para qytetarëve, në zgjedhjen e përfaqësuesve më të denjë në garën mes partive. Ne, vlerësojmë se me këtë do të fillonte të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm zgjedhor që do të ishte në interes të institucioneve, proceseve dhe para se gjithash të qytetarëve“, thotë Darko Aleksov.

Nevojën për ndryshime në modelin zgjedhor e mbështesin edhe njohësit e çështjeve juridike.

Mersim Maksuti, ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës, si më me rëndësi e vlerëson ndryshimin e njësive zgjedhore nga gjashtë sa janë tani në një njësi zgjedhore.

“Një nga ndryshimet esenciale ka të bëjë me ndarjen e Maqedonisë me një njësi zgjedhore, por këtu gjithmonë duhet të kemi parasysh edhe caktimin e një censusi të pranueshëm elektoral".

"Vlerësoj se mënyra më e mirë do të ishte sikur censusi të mos jetë më i lartë se 3 për qind pasi kjo do ti siguronte përfaqësimin në Kuvend edhe partive më të vogla politike“, thotë Maksuti, duke tërhequr vërejtjen për nevojën e një studimi të mirë që nga ndryshimi eventual të mos pëson trupi elektoral shqiptar.

Ndërkohë, sa i përket pastrimit të listës zgjedhore që për momentin është preokupimi më i madh i partive politike, në veçanti të atyre opozitare, ai thotë se është momenti që edhe ky problem të zgjidhet meqë gjatë gjithë cikleve zgjedhore, lista ka shërbyer për akuza të shumta mes partive lidhur me pretendimet se në listë figurojnë edhe persona që kanë ndërruar jetë apo ata që nuk jetojnë në Maqedoni.

“Definitivisht lista zgjedhore duhet që të pastrohet me ç'rast do të zvoglëohet numri i votuesve sepse për momentin ai është shumë i përafërt me numrin e popullsisë së vendit gjë që e bën në shikim të parë duket si jo normale".

"Ekziston një numër i konsiderueshëm i votuesve fiktiv që në të shumtën e rasteve janë keqërdorur nga partitë më të fuqishme për të dobësuar peshën e partive më të vogla, por edhe për të dëmtuar gjithë procesin zgjedhor“, thotë Maksuti.

Çështjet që kanë të bëjnë me kodin zgjedhpor, përfshirë edhe votimin e diasporës që paraqet problem në vete janë pikat e marrëveshjes politike që duhet të mbyllen për ti hapur rrugën përgatitjes së vendit për zgjedhjet e parakohshme të parapara të mbahen më 24 prillit të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG