Ndërlidhjet

logo-print

Komunat serbe kërkojnë formimin e Asociacionit


Ilustrim

Ilustrim

Dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë u kanë bërë thirrje qeverive në Beograd dhe Prishtinë, si dhe ekipit menaxhues për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që gjatë takimit të ardhshëm në Bruksel të arrijnë marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni.

Formimi i tij, sipas tyre, do t’i hapë rrugën normalizimit të mirëfilltë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në këtë deklaratë janë nënshkruar të dhjetë kryetarët e komunave Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Partesh, Kllokot, Ranillug dhe Novobërdë.

Ata po ashtu kanë kërkuar nga ekipet negociuse të Beogradit dhe Prishtinës që para vazhdimit të dialogut në Bruksel, të paralajmëruar më 25 gusht, të mbajnë takime konsultative me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe kanë kërkuar që edhe politikani serb, Oliver Ivanoviq, të hiqet nga, siç janë shprehur, paraburgimi i padrejtë dhe të mbrohet në liri.

Ivanoviq akuzohet për krime lufte, të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë viteve 1999 dhe 2000.

Ndërkaq, formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë të bëhet me Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Palët kanë ngecur në këtë pikë, pasi autoritetet kosovare nuk duan që ky organ të ketë përgjegjësi ekzekutive, ashtu siç insistojnë zyrtarët serbë.

XS
SM
MD
LG