Ndërlidhjet

Të shpëtosh gratë nga xhihadistët e Shtetit Islamik

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Në vapën e madhe të qytetit Duhok, në rajonin kurd të Irakut, pensionistja amerikane, Amy L. Beam, kalon ditët e saj duke bërë lista.

Ajo dokumenton emrat e qindra grave Yazidi, të rrëmbyera nga militantët e Shtetit Islamik (IS) më shumë se një vit më parë.

Si vullnetare e pavarur që ndihmon një projekt të quajtur Çlirimi i Fëmijëve të Krishterë dhe Yazidi të Irakut, Beam përdor listat e saj për të ndihmuar në gjetjen dhe çlirimin e grave dhe vajzave që mbahen si skllave seksi nga xhihadistët.

Projekti Çlirimi i Fëmijëve të Krishterë dhe Yazidi të Irakut ka qenë ide e Steve Mamon, biznesmen nga Montreali i Kanadasë. Të gjitha paratë e grumbulluara përdoren për të paguar për çlirimin e grave Yazidi dhe të krishtera nga robëria e Shtetit Islamik.

Mamon ka nisur projektin vitin e kaluar, fillimisht duke kërkuar ndihmë nga anëtarët e komunitetit të tij hebre në Montreal. Në muajin korrik, ai ka nisur fushatën publike për mbledhjen e fondeve përmes ueb-faqes GoFundMe, e cila më 17 gusht ka grumbulluar gati 395,000 dollarë.

Frymëzim për projektin ka qenë Oskar Schindler, një industrialist gjerman që ka shpëtuar jetët e më shumë se njëmijë hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Kur ne themi ‘kurrë më’ si hebrenjtë, ne vërtet mendojmë ‘kurrë më’. Nëse Schindler ka bërë atë që ka bërë për hebrenjtë, ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të heshtur”, thotë për Radion Evropa e Lirë vullnetarja Kelly Amram.

Por, disa vënë bëjnë pyetje se sa është etike blerja e lirisë së grave të rrëmbyera.

Një komentues me emrin Brandon Wade ka pyetur përmes ueb-faqes GoFundMe se “a përdoren këto para për të blerë njerëz nga Shteti Islamik? A përdoren këto para për të promovuar tregtinë e trafikimit me njerëz?”

Projekti Çlirimi i Fëmijëve të Krishterë dhe Yazidi të Irakut insiston se paratë nuk shkojnë te militantët e Shtetit Islamik, por te ndërmjetësit.

Vullnetarja Amy L. Beam thotë se ndërmjetësit janë arabë ose kurdë lokalë, që lehtësojnë largimin e grave nga militantët dhe bashkimin e tyre me familjet.

Rreziqet janë të larta dhe disa ndërmjetës janë vrarë, thotë Canon Andrew White, ish-pastor në Bagdad, i cili ka dhënë mbështetjen e tij për projektin.

Sipas tij, “nuk ka asnjë mënyrë tjetër” për të shpëtuar gratë.

“Nëse nuk i blini, ato mësohen dhe shkatërrohen”, thotë White.

Aktivistja Beam shpjegon se ka dy mënyra që gratë të ikin nga rrëmbyesit e Shtetit Islamik.

Mënyra e parë është më e vështirë dhe më e rrallë. Gruaja duhet të jetë në gjendje të sigurojë një telefon nga militantët dhe të thërrasë familjen e saj, e cila organizon ndërmjetësin. Gruaja duhet të ikë vetë nga militanti ose familja ku mbahet dhe të takojë shpëtimtarin e saj.

“…por, është shumë e vështirë të iket. Nën kontrollin e Shtetit Islamik, gratë nuk lëvizin jashtë vetëm”, thotë Beam për Radion Evropa e Lirë.

Gratë që kapen gjatë përpjekjeve për të ikur, rrihen dhe ndëshkohen.

Mënyra e dytë është më e zakonshme. Një militant blen një grua Yazidi dhe përpiqet ta përdorë atë për seks. Por, gruaja i reziston përdhunimit dhe lufton. Fillimisht, militanti e rreh, e lidh, por ajo vazhdon të luftojë, ose qan gjatë gjithë kohës.

Aktivistja Beam thotë se edhe për përdhunuesit, seksi e humb shpërblimin e vet nëse ai duhet ta rrahë gruan çdo herë, derisa t’i humbasë ndjenjat.

Por, militanti nuk e lë atë të ikë dhe e shet te një tjetër militant. Në fund, gruaja, e padobishme si një skllave seksi, përfundon duke u blerë nga një ndërmjetës.

Beam thotë se ndërmjetësit kërkojnë 2,000 deri në 3,000 dollarë për të çliruar një grua Yazidi.

Numri i saktë i grave dhe vajzave që mbeten pengje të Shtetit Islamik, është i pasaktë, por besohet se bëhet fjalë për së paku 2,700.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG