Ndërlidhjet

Mungesë e kategorizimit të lëndëve në sistemin e drejtësisë


Organizatat joqeveritare në Kosovë që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se krahas problemeve në vonesat e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe prokurori, ka probleme edhe me kategorizimin e lëndëve, të cilat duhet të jenë prioritetare për shqyrtim.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë drejtim problemet janë evidente.

“Ajo që kemi vërejtur në vazhdimësi është se nuk ka një kategorizim të lëndëve, të cilat duhet të trajtohen nga ana e sistemit gjyqësor, sidomos kur kemi të bëjmë me rastet e korrupsionit”.

“Prioritetet, të cilat janë të vendosura për zgjidhjen e rasteve, së pari i takojnë sferës e cila është e përcaktuar me ligj e më pas ato, të cilat i shpallë qoftë Këshilli Gjyqësor apo prokuroria për trajtimin e lëndëve të caktuara”, tha Musliu.

Në një hulumtim të fundit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thuhet se “vetë fakti se edhe në vitin 2015, ka lëndë që ende nuk janë zgjidhur nga prokuroritë dhe që datojnë nga viti 2001 deri në vitin 2013, dëshmon se prokuroritë edhe prokurorët nuk e kanë shqyrtuar seriozisht planin e veprimit”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i cili është edhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, konsideron se në përgjithësi, në të gjitha prokuroritë e vendit ka kategorizim të lëndëve që janë me prioritet.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se prioritet janë lëndët që kanë të bëjnë më rastet e dyshuara me korrupsion dhe ato të paraburgimeve.

“Ka raste që marrin kohë më shumë dhe më pak, përndryshe nuk ka ndjekje selektive nga ana e prokurorëve. Ne kemi një ngarkesë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilat janë të ngarkuara me më shumë raste e nuk e kanë numrin e mjaftuar të prokurorëve”.

“Edhe nëse duan ta dinë krejt kjo po e zbeh punën e sistemit prokurorial në Kosovë, se nuk po trajtohen të gjitha rastet në mënyrën e duhur në mungesë të prokurorëve, e jo se ka ndonjë selektim”, tha Hoxha.

Kurse në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, konsiderojnë se rastet e natyrës korruptive janë të kategorizuara si raste me prioritet në gjykata.

Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, thotë se është i nevojshëm formimi i një komisioni për të parë se a ka neglizhencë të rasteve të paraqitura në gjykata.

“Personalisht nuk jam shumë i kënaqur në kuptimin e procedimin të rasteve, ka nevojë të përmirësohet ende. Për këtë arsye ndoshta Këshilli Gjyqësor, është e nevojshme që me një grup punues të shikohet secila gjykatë, rast pas rasti, dhe të gjejë se a ka pasur neglizhencë në zgjidhjen e rasteve”, tha Peci.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në përgjithësi është kritikuar si një sistem i korruptuar dhe se qytetarët nuk kanë besimin e duhur në ketë sistem për shkak të kryerjes së veprave të ndryshme penale nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët shpesh është vlerësuar se nuk kanë qenë profesional, të paanshëm dhe të pavarur në marrjen e vendimeve dhe kryerjen e detyrave të tyre.

XS
SM
MD
LG